Replikë/ Vincent, gazetari dhe shërbëtori nuk janë e njëjta gjë! – Lexo.al

Replikë/ Vincent, gazetari dhe shërbëtori nuk janë e njëjta gjë!

Nga Endrit Papadhimitri/

Drejtuar Vincent Triest.

Nuk të njoh personalisht dhe nuk kisha ndërmend fare të të përgjigjesha. Dje, lexova shkrimin tënd në “Newsweek” ku përshkruaje se si Shqipëria, vendi yt nga mamaja, ishte shndërruar në një kërcënim për gjithë botën me drogën që ne prodhojmë.

Më pas lexova një replikë, në të cilën shkruhej se çfarë kishe bërë ti në jetë, ish-gazetari i RD dhe ish-këshilltari i Nishanit, që herë pas here shkruan në mediat holandeze apo në faqe si “Hufftington Post”.

Dhe e lashë me kaq. Nuk u informova më për këtë punë, deri kur sot në mëngjes, papritmas lexoj një statusin tënd, në të cilin ti me fodullëk shkruan: “I ftoj gazetaret qe merren me ato shkrime, te aplikojne per te shkruar ne Newsweek, te tregojne sa te afte jane aty, ne vend qe te fshihen pas ketyre sulmeve te uleta – Vincenti 😂”.

Ndaj, si gazetar vendosa të të them tre gjëra. E para, të shkruash së bashku me një seksolog si Will Nicoll, që shkruan në “Men’s Health” për mënyrat e rritjes së penisit, nuk është ndonjë arritje e madhe gazetareske. Për më tepër, kur ky ekspert i seksit (asgjë e keqe me këtë), shkruan për trafikun e drogës, artikulli yt banal nuk vlen më asnjë lek. Herë tjetër, miqësisht të këshilloj që kur të shkruash për çfarëdo temë, bën më mirë të mos e ndash emrin tënd me renegatë të tillë.

E dyta, ti pretendon se të shkruash artikuj është ajo që bën për të jetuar. Dhe pretendon se ato që shkruan ti, janë katërcipërisht të vërteta sepse ti je profesionist, duke nisur nga fakti i thjeshtë që ke bërë një shkollë në Holandë. Do ta kisha pasur shumë më të lehtë ta besoja këtë nëse nuk do të dija që ti je gazetari i Rilindjes Demokratike. Dhe si gazetar, e di që në Shqipëri, tek “RD” apo tek ish “Zëri i Popullit”, nuk shkruaje dot sepse ishte i paanshëm dhe i talentuar. Aty mund të shkruash vetëm nëse je një militant i verbër, me rekomadime që vijnë nga vetë Saliu në rastin tënd. Më beso, këtë e dimë të gjithë.

Dhe e treta. Më lëndon fakti që kur shumë prej nesh me zi shtyjmë muajin, për shkak të kushteve në të cilat lëngon gazetaria shqiptare, ti merr tre rroga, dy prej të cilave të paguara nga taksapaguesit shqiptarë, për të sharë vendim tim lart e poshtë, si e si që t’i të rrisësh piacën tënde ne sytë e atyre që të kanë vënë aty. Ajo që ti bën dhe nuk i referohem vetëm shkrimit të fundit, nuk ka asgjë të bëjë me paanshmërinë dhe me profesionalizmin. Por, të paktën hiqe këtë farsë, hiq dorë nga rroga që të japim dhe vazhdo ndiq rrugën tënde, duke sharë kë të duash, e duke shpifur sa të duash, pa u paguar nga ne.

Fundja, a nuk ishte ti ai që përpara pak muajsh na këshilloje në një portal, kur flisje për një skandal seksual rreth Hillary Clinton, se si mund të shfrytëzonim lajmet e rreme për të bërë para në rrjet?

Prandaj, lërë hiprokrizinë dhe mendjemadhësinë me të cilat i përgjigjesh kritikëve të tu në rrjetet sociale. Ti, virgjërinë e ke lënë prej kohësh në selinë e SHQUP-it. Nëse nuk do të bësh si i virgjër, do ta kemi më të lehtë të të lexojmë. Faleminderit!