Rama dhe Basha në sytë e atyre që nuk flasin shqip – Lexo.al

Rama dhe Basha në sytë e atyre që nuk flasin shqip

Nga Skënder Minxhozi/

Kur i pyet socialistët e sotëm për Edi Ramën, ata parapëlqejnë ta shmangin disi analizën e tij të shkëputur nga konteksti dhe sidomos nga “ata që ka përballë”. Dhe kur flasim për ata që sot Rama ka përballë, kemi zgjidhur njëherësh edhe ekuacionin më të thjeshtë politik shqiptar të 26 viteve të fundit: në skenën  politike vendase nuk ka asnjë re të zezë në horizontin e qeverisësve. Ka tym, po s’ka zjarr! Ashtu siç nuk ka, nga ana tjetër, as shpresa imediate në llogaritjet e opozitarëve. Rama i vënë karshi Bashës, Kryemadhit e krerëve të tjerë kundërshtarë, vijon të fitojë lehtësisht çdo përballje dhe krahasim.

Me një kut të ngjashëm duket se i masin punët, jo vetëm në kafenetë e Tiranës apo në provincat e largëta të Shqipërisë, por edhe në Bruksel e Uashington. Sepse nuk mund të shpjegohet ndryshe që përkundër opozitarizmit të athët të demokratëve e të tjerëve gjatë muajve të fundit, përkundër historive jo komode me drogë hashash që buçasin nëpër mediat shqiptare  prej shumë javësh, përkundër një situate ekonomike e cila vijon të jetë “në ndryshim e sipër”, kryeministri sapo ka marrë një “dhjetë me yll” nga goja e kreut të Komisionit Europian Juncker. Një vlerësim i cili kontraston me çdo paradë lajmesh që kalojnë nëpër ekranet e Tiranës nga mëngjesi në darkë (hajde mos prano pastaj rromuzet e Ramës për fake neës)!

Duket se dy janë shtysat madhore të cilat i japin formë qëndrimti aktual të Brukselit ndaj Tiranës së sotme politike. Të dyja të lidhura ngushtë mes tyre. Së pari, fakti që kryeministri Rama e ndjen veten gjithnjë e më të fortë në profilin e tij ndërkombëtar dhe në marrëdhëniet e komunikimin që ka vendosur në vite me aktorë relevantë në Ballkan dhe Europë. Së dyti, fakti që përballë tij qëndron një opozitë anemike, e cila u mblodh bashkë në 25 qershor për të mundur Ramën, por që përfundoi duke i dhënë atij një shumicë të paprecedent, i shtyn perëndimorët që ta fusin thellë në xhep librin e moralit dhe të predikimeve, e të nxjerrin prej andej makinën llogaritëse të cilën dinë ta përdorin shumë mirë kur vjen puna për të peshuar partnerët në vendet në zhvillim apo tek demokracitë e brishta si kjo e jona.

Nga ana tjetër, ndërkohë që në Tiranë zgjidhja e krizës së zgjedhjeve, me kompromisin e 17 majit dhe dhënien e pesë ministrive opozitës, shihet më së shumti si një dredhi sterile e Ramës ndaj Bashës, në sytë e perëndimorëve kjo lëvizje taktike konsiderohet si një akt që i dha vendit fushatën më të qetë elektorale të historisë së pluralizmit politik shqiptar.

Edhe në orët e fundit, teksa Rama, pasi shtrëngon duart me Juncker e të tjerët, fton kreun e PD për të arritur një “kompromis për Europën”, nuk mund të mos ketë impakt pozitiv tek ata që janë mësuar të na shohin vetëm duke u kacafytur. Siç thoshte të mërkurën në darkë Romano Prodi në Top Story, kur shprehej se Shqipëria e sotme vrapon, kurse dikur me Nanon dhe Berishën gjërat ishin të pamundura.

S’duhet harruar gjithashtu se kjo shumicë ka krijuar në sytë e të huajve imazhin e asaj pale që sponsorizoi dhe shtyu fort për hartimin dhe fillimit e zbatimit të reformës në drejtësi. Një zhvillim që sot figuron në të gjitha raportet ndërkombëtare që analizojnë situatën në vendin tonë.

Vlerësimi pozitiv që Bashkimi Europian shprehu gjatë vizitës së fundit të kryeministrit shqiptar në Bruksel, është një triumf i vogël i pragmatizmit europian, përballë një situate sa komplekse, aq edhe të thjeshtë në Shqipëri. Komplekse, pasi sfidat e korrupsionit, ekonomisë së brishtë, stabilitetit rajonal dhe zhvillimeve në Ballkanin Perëndimor, e bëjnë jo pak të rëndësishëm rolin e Shqipërisë së vogël. E cila kalon jo pak probleme të vjetra dhe të reja. Nga ana tjetër, situata tek ne, e parë me syzet euro-amerikane, ngjan mjaft e thjeshtë dhe pa alternativa tunduese. Ka një shumicë që ka fituar qartë vetëm pak muaj më parë. Si e tillë, megjithë tam-tamet e kanabisit dhe të opozitarizmit, i cili ka krijuar një klimë të rrjeshme destabiliteti të brendshëm, gjendja në Shqipëri shihet nga perëndimorët si e qendrueshme dhe pa “surpriza” në horizont.

Nuk duhet harruar se Perëndimorët kanë bashkëpunuar rregullisht në Shqipëri me qeveritë, e jo me opozitat. Këtyre të fundit janë mjaftuar t’u hedhin  mesazhe përkrahjeje, të cilat më të shumtën e kohës kanë qenë një akomodim i thjeshtë me rrethana të caktuara, më shumë sesa ndonjë premtim publik çfarëdo. Në rastin e Ramës, qeveritë e BE dhe Uashingtoni ndodhen vërtet përballë një situate e cila numerikisht dhe politikisht s’ka qenë kurrë më e qartë sesa sot. E kjo vlen për fatin e tij të keq, edhe për Bashën. Nga pozita ku ndodhet sot.

Të ngjashme