Qeveria dhe BSH informacion emigrantëve mbi mundësitë e investimeve në vendlindje – Lexo.al

Qeveria dhe BSH informacion emigrantëve mbi mundësitë e investimeve në vendlindje

Për Shqipërinë, dërgesat e shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut (remitancat), përfaqësojnë një burim të qëndrueshëm dhe të konsiderueshëm të hyrash, të cilat tejkalojnë edhe investimet e huaja direkte, duke përbërë në këtë formë një burim të qenësishëm financimi të rritjes ekonomike.

Qeveria po synon të rrisë informacionin për shqiptarët që jetojnë e punojnë jashtë atdheut për mundësitë e investimeve në vendlindje.

Anëtarët e diasporës duhet të jenë në gjendje të investojnë në Shqipëri nën këshillat e ftohta të sistemit bankar.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe Ministri i Shtetit për Diasporën, Pandeli Majko nënshkruan të hënën një memorandum mirëkuptimi me qëllim rritjen e efikasitetit të përdorimit të dërgesave të shqiptarëve që jetojnë jashtë atdheut.

Ministri Majko nënvizoi rolin e sistemit bankar në vend në këshillimin e diasporës për të parë mundësitë reale për investim në Shqipëri. “Ofrimi i informacionit për mundësitë e investimeve në vendlindje janë ftesa për të ardhme të ndryshme ekonomike. Anëtarët e diasporës duhet të jenë në gjendje të investojnë në Shqipëri nën këshillat e ftohta të sistemit bankar. Qeveria nuk mund ta zëvendësojë partneritetin e përkohshëm të saj me këshillën gjakftohtë dhe afatgjatë që vjen nga tradita bankare”, u shpreh Majko.

Ndërsa Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko tha se një sërë hapash të përbashkëta do të ndërmerren nga institucionet shqiptare, me përpjekjen për t’i dhënë vendin që meriton kontributit financiar që shqiptarët e emigruar bëjnë për mirëqenien e familjeve të tyre në Shqipëri dhe jo vetëm. “Ky kontribut rezulton po kaq vital edhe për zhvillimin e qëndrueshëm afatgjatë të vetë vendit”, deklaroi Guvernatori Sejko.

Sejko nënvizoi se ka ardhur të koha tregojmë më shumë kujdes, vlerësim dhe mirënjohje për ata dhjetëra mijëra bashkë atdhetarë që mes sakrificash të shumta vazhdojnë të kontribuojnë në mirëqenien e kombit tonë, duke sjellë një pjesë të kursimeve pranë familjeve të tyre.

“Inkurajojmë të gjithë industrinë bankare dhe aktorët e tjerë të sistemit financiar që të kontribuojnë në këtë inciativë me vizion dhe produkte konkrete për vetë faktin se ju mund të luani një rol të veçantë në mobilizimin sa më efikas të remitancave”, u shpreh ai

Remitancat vlerësohen të kenë një impakt domethënës në familjet shqiptare, në reduktimin e varfërisë dhe në përmirësimin e cilësisë së jetesës. Studimet e kryera nga Banka e Shqipërisë dhe Banka Botërore tregojnë që të ardhurat e përftuara nga remitancat alokohen kryesisht për konsum, mjekim dhe arsimim, por edhe për kursim e investime, këto të fundit kryesisht në banim.

Sipas Bankës së Shqipërisë pjesa më e madhe e remitancave hyn në vend përmes institucioneve financiare që mundësojnë transferta parash, e më pak përmes atyre bankare. Ndërkohë, në nivele ende mjaft të larta është dërgimi i tyre në formën e parasë cash. Sipas vrojtimit të Bankës Botërore të kryer në vitin 2016, është arritur në konkluzionin se arsyet për përdorimin e ulët të kanaleve bankare janë kostot e larta të transferimit të parave, dhe se procedurat e transferimit vlerësohen të koklavitura.

Kostot e dërgimit të remitancave në Shqipëri vlerësohen në 9.4% të shumës së dërguar, krahasuar me një mesatare të rajonit, në nivelin 7.2%. Ndaj Guvernatori Sejko tha se Banka e Shqipërisë sugjeron një vëmendje më të shtuar në drejtim të reduktimit të kostove të transfertave, dhe përmirësimit ose dizejnimit nga e para të produkteve dhe shërbimeve të dedikuara për këtë segment të popullatës.

Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë angazhohet në modernizimin e mëtejshëm të infrastrukturave të sistemeve të pagesave, apo përshtatjen e legjislacionit me direktivat e Bashkimit Evropian, në funksion të një tregu të hapur, pa barriera dhe konkurrues.

Për të pasur një vështrim më të plotë të remitancave në të gjitha dimensionet, Banka e Shqipërisë do të prodhojë një botim të dedikuar, i cili do të prezantohet në qershor të çdo viti, periudhë e cila përkon edhe me Ditën Ndërkombëtare të Dërgesave në Para pranë Familjeve.