Putin dhe Asad diskutojnë zgjidhjen e konfliktit sirian – Lexo.al

Putin dhe Asad diskutojnë zgjidhjen e konfliktit sirian

Presidenti rus, Vladimir Putin u takua dje me presidentin sirian, Bashar Al Asad në Soçi, në jugperëndim të Rusisë, dy ditë para zhvillimit të një samiti trepalësh Rusi-Iran-Turqi për çështjen siriane, njoftoi sot Kremlini.

“Vladimir Putin zhvilloi bisedime me presidentin sirian Bashar Al Asad që ishte në Rusi për një vizitë pune”, deklaroi Kremlini në një komunikatë.

”Gjatë këtij takimi, që u zhvillua në rezidencën verore të Putinit në zonën bregdetare të Soçit, në brigjet e Detit të Zi, presidenti rus përshëndeti Asadin për rezultatet e tij në luftën kundër terrorizmit, duke vlerësuar se fitorja e pashmangshme dhe përfundimtare kundër terroristëve ishte shumë pranë në Siri. Sipas Putinit ky takim synonte para së gjithash për të biseduar për një zgjidhje politike dhe paqësore afat gjatë në Siri, që do të vijë pas kësaj humbje”, theksoi Kremlini.

“Nga ana e tij, Asadi i shprehu homologut të tij rus mirnjohjen e popullit sirian për ndihmën e Rusisë në mbrojtjen e integritetit territorial dhe të pavarësisë së Sirisë”, sipas citimeve të Moskës.