Pse Llalla është fatlum që po ikën me procedurë – Lexo.al

Pse Llalla është fatlum që po ikën me procedurë

Nga Flogert Muça/

Çështja e Kryeprokurorit të Përgjitshëm të Përkohshëm ka nxjerrë edhe njëherë në pah ndasinë e madhe politike mes palëve në Tiranë, por edhe mes opozitës  dhe SHBA&BE. Kështu, njëlloj si për reformën në drejtësi, edhe për çështjen e kryeprokurorit,  SHBA/BE dhe Partia Socialiste janë rreshtuar nga krahu i Kushtetutës, e cila thotë se mandati nuk mund të shtyhet përtej afatit dhe se zgjedhja e një Kryeprokurori të Përkohshëm bëhet me shumicë të thjeshtë.

PD dhe LSI janë në një linjë kur shprehen se Llalla nuk duhet të ikë. Ndërsa SHBA&BE janë poashtu në një linjë kur thonë se ai duhet të largohet dhe duhet të respektohet ligji. Nga ana tjetër, kryeministri Rama edhe pse i ka numrat për ta zgjedhur vetë Kryeprokurorin e Përkohshëm, i ka shtrirë dorën e bashkëpunimit Bashës që ta zgjedhin bashkarisht kryeprokurorin e ri. Kreu i opozitës edhe njëherë i ka vënë shkelmin dorës së shtrirë dhe mesa duket do vazhdojë luftën e tij politike që shkon në kah të kundërt me integrimin  e vendit.

Por deri këtu nuk kemi asnjë surprizë, sepse që PD dhe LSI janë kundër SHBA&BE dhe që PD ka iniciuar dhe vazhdon një luftë mediatike e politike për nxirjen e Shqipërisë, janë fakte të ditura që nuk kanë nevojë për analizë. Ai që ka nevojë për analizë si fenomen dhe si drejtues institucioni është ish-kryeprokurori Adriatik Llalla.

Llalla nga të gjitha analizat e bëra nga profesionistët e fushës, por edhe nga intervistat e dhëna nga funksionarë e ish-funksionarë të drejtësisë, ka dështuar. Është e famshme shprehja e tij “Në vjeshtë do ketë arrestime të peshqëve të mëdhenj”, por që vjeshtat iknin e vinin, gjethet binin e rilindnin dhe peshqit lundronin të qetë, të patrazuar. Bilanci i Llallës ka qenë një dështim i suksesshëm. Madje, shumë prej analistëve që e njohin mirë fushën dhe kulisat shprehen se ai ka qenë një ushtar besnik i politikës që e zgjodhi kryeprokuror. Kjo duhej rrëzuar me çdo kusht, ndaj SHBA/BE dhe PS-ja bënë një reformë jetike për Shqipërinë, shqiptarët dhe rrugën drejt BE-së. Ajo  ishte reforma më e rëndësishme e qeverisë “Rama 1”, reforma në drejtësi. Pikërisht kjo reformë që i ka dhënë kryeministrit kredibilitet të lartë kombëtar e ndërkombëtar, do duhej që të fuste në sitë edhe LLallën, e cili, duke ikur si kryeprokuror që i mbaron mandati, mund të konsiderohet me fat që nuk e kapi vetingu.

Nëse për Partinë Demokratike dhe LSI-në, ikja e Llallës përbën një problem sepse nuk do kenë më një pikë ku të mbështeten, për Llallën dhe të gjithë ata që ikin me të dhe që janë bashkëpërgjegjës për punën e dobët të këtyre viteve në krye të organit të akuzës, është një fat. Është fat të ikësh nga puna, pa kaluar vettingun. Paaftësi apo dashakeqësi, secila që të jetë është e rëndë për vendin që ka mbajtur në kurriz një Kryeprokurori të tillë. Për pasojë, është fat sërish, që një i paaftë apo i papërgjegjshëm, hiqet nga puna me procedurë dhe jo më Vetting.

Në të gjitha rastet fenomeni “Llalla” në drejtësi është me fat nëse ikin nga puna me procedurë, sepse nëse do t’i kishte kapur vettingu, kushedi se çfarë çudirash do të shihnim e dëgjonim

Ndaj, PD dhe LSI duhet ta lënë të qetë Llallën në punën e vet. Bilanci i tij është aq i dobët, aq regresiv, sa ai dhe të gjithë ata si ai, duhet t’i jenë falenderues datës që ju mbaroi mandati, para se të vinte Vettingu. Në fund të fundit, po e heq ligji, jo maliqi!