Propagandë ekstremiste në facebook, Italia përzë dy shqiptarët – Lexo.al

Propagandë ekstremiste në facebook, Italia përzë dy shqiptarët

Dy shqiptarë, të cilët jetonin në Puglia të Italisë u deportuan të mërkurën nga ky shtet për arsye sigurie. Lajmi u bë i ditur nga Ministri i Brendshëm italian, Marco Minniti.

Sipas agjencisë italiane të lajmeve ANSA, kjo e ka çuar numrin në 100, të personave të dëbuar vetëm për këtë vit, dhe 232 që nga fillimi i 2015-s, me dyshimin se ishin pjesë e rrjeteve ekstremiste fetare. Ata janë kthyer të gjithë në vendet e tyre të origjinës.

Një prej shqiptarëve, shkruan ANSA, një 24-vjeçar që jetonte në Fucera, pranë Foggias ra në radarët e policisë gjatë një hetimi për luftëtarët e huaj të Shteti Islamik. Ai dyshohej se ishte i lidhur ngushtë me një bashkëkombas i cili po ndihmonte në emigrimin e paligjshëm dhe ishte gjithashtu i lidhur me një grup Salafist, pjesë e së cilit ishin 2 shqiptarët e deportuar nga Italia, Korrikun e shkuar.

24-vjeçari përhapte propagandë xhihadiste në faqen e tij të Facebook. Shqiptari tjetër që u deportua po të mërkurën, sipas ANSA ishte një 23-vjeçar i lidhur me një grup kriminal shqiptar, ishte marrë me trafik të personave në Foggia dhe kishte postuar fotografi në Facebook ku shfaqej me armë zjarri. Të dy shqiptarët, për të cilët mediat italiane nuk japin emra, u dëbuan nga Bari drejt Durrësit.