Ngricat që kanë pushtuar PD – në! – Lexo.al

Ngricat që kanë pushtuar PD – në!

PD ka ngrirë. Ka kohë që i ftohti demokrat ka filluar të bllokojë çdo mënyrë të menduari, artikuluari dhe akoma më keq, të vepruari brenda qerthullit të një grupi njerëzish që vetëquhen parti. Nuk do mend që opozita ka dalë nga shinat e funksionit që ka; dhe me paaftësinë për të qenë në rolin që duhet të ketë, e vetmja mënyrë për të marrë frymë është të akuzojë qeverinë. Akuza që janë krejtësisht të pabaza, akuza në ajër, pa motiv, pa përmbajtje, pa dhënë zgjidhje… thjesht fjalë boshe sa për të mbushur minutazh televiziv. Kryetari i PD – së, në rolin e një klouni që përpiqet të hiqet serioz edhe pse askush nuk mundet ta marrë seriozisht, (dhe ai nuk e kupton, por është pikërisht kjo mënyrë komunikimi pa sens me të cilën ai u drejtohet qytetarëve që e bën krejtësisht qesharak në sytë e shqiptarëve) del në rolin e zëdhënësit dhe lexon atë që i kanë shkruar nëpër copa letrash.

Lulëzim Basha, si lider i një partie politike, ka menduar se partia e tij mund të japë ndihmesë duke shkruar nëpër rrjetet sociale se i ftohti që ka mbërthyer Shqipërinë është për shkak të dështimit të kësaj qeverie. Nuk di të qash apo të qeshësh me këto fjalë? Dhe thotë se shkollat janë pa xhama, pa sistem ngrohjeje, pa kushte (dhe harron se PD e kishte pushtetin për 8 vite, dhe nëse i intereson vërtet mirëqenia e shqiptarëve, duhet t’u kërkojë fillimisht llogari atyre që ka brenda kopesë së tij, që për vite me radhë bënë rrumpallë në këtë vend. Për cilat shkolla flet Basha, kur ishte katër vjet kryetar bashkie dhe nuk investoi asnjë qindarkë për investime publike, por pasi vidhte mjaftueshëm në këtë vend, strehohej ngrohtë në Holandën e tij? Akuzon pse u mbyllën shkollat për një javë, por harron se është vullneti i vetë prindërve që dëshirojnë pikërisht këtë gjë; dhe janë falënderues, pse u dha mundësia që në ditë të ftohta si këto, të kujdesen vetë për fëmijët e tyre.

Nuk ka arsye për të menduar me egoizëm në një situatë delikate për vendin, për aq kohë sa kushtet atmosferike janë të tilla që imponojnë marrje masash për të parandaluar ndonjë gjendje të rënduar. Bashës nuk mund t’i vijë inat pse qeveria mendoi në dobi të qytetarëve dhe propozoi një paketë masash për t’u përshëndetur, duke bërë që situata të jetë plotësisht në kontroll. Përkundrazi, duhet të shohë anën humane dhe një herë të vetme të mos mendojë për interesa të ngushta partiakë, por të shohë interesin kombëtar. Nuk mund t’u thuash njerëzve që fajin e ka qeveria se përpara derës suaj ka ngrirë akulli; dhe ju duhet të rrini duarkryq derisa të vijë qeveria t’u pastrojë pragun e derës. Ndërkohë që qeveria është në këmbë duke bërë detyrën, duhen ndërgjegjësuar sa më shumë edhe njerëzit që të tregohen solidarë dhe mirëkuptues, duke kontribuar secili, qoftë për derën e shtëpisë së vet.

Me çfarë morali mund të kërkojë PD llogari për emergjencat civile, ndërkohë që fondi i lënë nga qeveria e Berishës për të përballuar emergjencat civile ishte 570 dollarë? 570 dollarë kishte lënë në buxhet ish – qeveria që sot ka marrë misionin për të aluduar lidhur me masat që janë marrë për këtë situatë. Me 570 dollarët që la qeveria Berisha, as për karburant për monitorimin e zonave të prekura nga i ftohti nuk dalin. Cili është morali i PD; dhe me këtë lloj morali, cili është qëllimi i PD? Nëse do u interesonte mirëqenia e shqiptarëve, nuk do kujdeseshin për të lënë vetëm 570 dollarë për emergjenca. Dhe akoma më keq, nuk do uronin kaq hapur që situata të dalë jashtë kontrollit. Me siguri, PD po përgatiste terrenin për të gjetur shkas për të përfituar nga ndonjë fatkeqësi e mundshme natyrore. Por, serioziteti me të cilin u trajtua situata e emergjencës dhe koha rekord e ndërhyrjeve kudo ku ishte e nevojshme, duket sikur e ka dëshpëruar PD – në, që priste kaos në vend, duke e barazuar me qeverisjen qe lanë pas, ku shqiptarët mbyteshin edhe me një pikë ujë shiu.

PD ka ngrirë në paaftësinë që po tregon edhe si opozitë. A mund të mendohet ndonjëherë që një parti në këto kushte të marrë një ditë në dorë pushtetin? Jo vetëm që do e shpërdoronin pushtetin, por do e ngrinin edhe shtetin. Në kushtet kur një opozitë e ka lënë fondin e emergjencave me 570 dollarë dhe në opozitë bën rolin e tellallit që vetëm akuzon qeverinë pse e mori situatën nën kontroll, me një seriozitet më tepër se ç’ duhet (këtu bien brenda me këmbët e tyre, kur herë hedhin akuza se nuk po merrem masat e nevojshme dhe herë pse po merren kaq shumë masa, sipas fjalëve të dërdëllisësve të SHQUP – it) është e kotë ta marrësh seriozisht. Më mirë të rrinë në batakun ku gjenden, të aviten në llomotitjet pa logjikë dhe të vegjetojnë në rolin e tellallit, sepse diçka më tepër nuk mund të presësh nga kjo opozitë në këto kushte.

Jini sa të doni qesharakë për të gajasur njëri – tjetrin brenda përbrenda mëhallës tuaj shqupiste, por ju lutem mjaft i bëtë keq këtij vendi me politikën tuaj, që i ka rënë pika me vakt!

Të ngjashme