Modeli dhe opozita Basha, e dështuar dhe e vjetëruar – Lexo.al

Modeli dhe opozita Basha, e dështuar dhe e vjetëruar

Nga Artur Ajazi

Ajo ç’ka kreu i Partisë Demokratike Lulzim Basha dhe lista e tij po bëjnë në sallën e mbyllur të Kuvendit, padyshim nuk quhet as “opozitë dhe as luftë politike”, por thjesht një tentativë e dështuar e riingranimit të modelit të vjetëruar. Dështimin e tij Luli e ka ndjerë nga afër dhe nga larg, e ka ndjerë kur ai shpiku dhe ngriti çadrën e “lirisë”, kur u ngjirr duke kërkuar “zgjedhje të lira dhe të ndershme”, por edhe kur Rama pa shumë fjalë dhe lutje e thirri mesnatën e 17 majit për të firmosur pikat e marrëveshjes.

Modeli i opozitës që është duke bërë Luli, sërish është dështim i sigurtë, pasi ai nuk mund të kopjojë asgjë nga Berisha. Ai nuk është Berishë, ai do të mbetet Luli. Synimi i opozitës së Lulit apo dhe “frontit opozitar” për ta rrëzuar Edi Ramën nga pushteti nuk është i fshehtë, por me makinacionet që përdoren ai është i dështuar, i shtirur, i shitur. Synimi i opozitës së Lulit, duket i pafuqishëm në kontekstin e akuzave, pasi mungojnë elementët e nevojshëm për të bindur sallat e mbyllura dhe sheshet padyshim, që ai po imagjinon të “pushtojë”.

Sot aktualisht në garë janë dy modele, ai i Lulit, me refrenin për gjoja “lidhje të politikanëve të lartë me krimin”, duke ëndërruar sikur Rama të mos e shpjerë gjer në fund mandatin si kryeministër, dhe modeli “Rama” që për herën e dytë fiton bindshëm me alternativën e tij zgjedhjet për të qeverisur. Por në fakt opozita shqiptare , duket se nuk ka një model alternativ qeverisje, pasi Luli deri tani, po synon vetëm rrëzimin nga pushteti të kryeministrit Rama, duke mos patur ai vetë një model tjetër. Deri tani faktet flasin se Luli është duke kopjuar keq, pa projektuar alternativat e opozitës, si një domosdoshmëri për t’ju kundërvënë modelit të qeverisjes Rama.

Opozita e deritanishme e PD dhe shtojcës saj “frontit të bashkuar opozitar” mbetet në kufijtë e modelit të vjetëruar të para 15 viteve, një opozitë pa ide, e pakuptimtë, pa tipare të dukshme të një realiteti që ajo mund të ofrojë. E pamundura e Lulit qëndron tek imagjinata e tij, tek modeli i tij i dështuar, kurse modeli Rama ( i provuar tashmë) rezulton të jetë më modernist, pasi mbështetet tek parimi se “njeriu dhe vetëm ai mund ti japë vlerë edhe objekteve pa jetë”.

Filozofia e modelit Rama, qëndron sot përballë mungesës së modelit të opozitës, bashkë me arritjet dhe dështimet e saj. Nga opozita e Lulit dhe “frontit të bashkuar” në sallat e mbyllura, deri tani kemi dëgjuar vetëm kritika spontane, të pavlera, që duken më tepër ai shashka të ç’aktivizuara. Opozita e PD, ka provuar dhe po provon të dëshmojë se, “modeli Rama nuk mund të krijojë vlerë, pasi vetë ai është i pavlerë”. Ajo çfarë ne kemi parë dhe kemi dëgjuar deri sot nga kreu demokrat, nga pikëpamja filozofike duket si një argument që nuk qëndron, pasi akuzat e tij nuk kanë vlerë në vetvete, ato janë thjesht spontane.

Luli harron se qytetarët nuk votojnë më për argumente të sajuara politike, pasi ato nuk mund të prodhojnë as bindje, as vlerë dhe as fitore. Tek e fundit në qoftë se modeli Rama sipas Lulit “është i pavlerë”, përse ai votohet nga 2/3 e shqiptarëve, dhe pse

modeli i tij nuk votohet as nga 2/3 e demokratëve në zgjedhje ? Ajo ç’ka sot përbën thelbin e opozitës së Lulit, mbetet vetëm rrëzimi individit Rama nga pushteti, dhe jo i modelit të tij qeverisës. Kjo e fundit për shumicën e PD, ( e shprehur nën zë) mbetet një arritje që ka vlerat e veta moderniste, në mungesë të një modeli qeverisës nga ana e opozitës. Qëndrimet e kësaj të fundit, kanë vite që ngjallin veçse dëshpërim tek qytetarët, që shohin tek lidershipi opozitar mungesën e shpresës, vlerave, programeve, dhe modelit të ri qeverisës.