“Migjeni” i kohëve moderne, 8 orë udhëtim për të shkuar tek nxënësit në Librazhd – Lexo.al

“Migjeni” i kohëve moderne, 8 orë udhëtim për të shkuar tek nxënësit në Librazhd

Mësuesi i palodhur Elez Skënderi të sjell në kujtesë poetin e madh shqiptar Millosh Gjergj Nikolla, i cili bënte disa orë rrugë për të shkuar tek nxënësit e tij në Vrakë të Shkodrës.

Si për ironi, në ditët e sotme edhe pse infrastruktura rrugore apo mjetet e transportit kanë evoluar, 47-vjeçari  çdo ditë përshkon të paktën katër orë udhëtim për të qenë pranë fëmijëve të fshatit Orenjë në Librazhd.

Në një rrëfim për gazetën “TemA”, “Migjeni” i kohëve moderne tregon se kurrë nuk e ka menduar lodhjen gjatë ushtrimit të profesionit të tij. Mësuesi jeton në një fshat të Durrësit dhe prej vitesh i duhet të niset që në orët e para të mëngjesit drejt fshatit të largët për të dhënë mësimin e Gjuhë-letërsisë shqipe. Sipas kalkulimeve, ai të paktën tetë orë nga dita i shpenzon në udhëtim.

Çfarë  marrëdhëniesh keni ju me profesionin që ushtroni?

Fatmirësisht unë kam mbajtur prej vitesh një ditar personal i cili hyn tek një ndër pasuritë më të mëdha që kam. Atje, në trajtën e tregimeve, kam përshkruar jo veç ditët e para por pothuajse të gjithë kohën që pasoi ato ditë unike. Teksa rilexoj këto kujtime, në mendje më vijnë qindra fytyra që sot janë ndarë në shumë rrugë të jetës. Momentet më të bukura janë ato kur një ish-nxënës/se të përqafon dhe të thotë: -“Profesor më mbani mend? Unë kam qenë në klasën tuaj?” Atëherë emocionohem dhe nganjëherë as lotët s’mund t’i kursej teksa shoh se sa janë rritur dhe çfarë drejtimi kanë zgjedhur. S’ka më bukur se ta ndjesh veten prind të dytë për shumë fëmijë…Besoj që kjo marrëdhënie do të zgjasë deri sa unë të mos kem më forcë për t’u ngritur nga shtrati dhe për të shkuar pranë nxënësve.

Si ndjeheni kur sillni në kujtesë ditët e para të profesionit tuaj?

Dua të kthehem  në vitin e largët të 1987-ës kur unë djaloshi i papjekur ende mirë, hyra pa zhurmë në dyert e klasave të “Normales së Elbasanit”. Atje ka qenë kontakti i parë me këtë dashuri që vazhdon të më shoqërojë prej rreth 30 vitesh. Më pas emërimi m’u dha në fshatin Rinas të Librazhdit. Aty u bëra kujdestari i një klase që kishte veç 8 djem dhe asnjë vajzë. Të përshkruash tërësisht emocionin e parë është e pamundur ku edhe si mësues letërsie nuk i gjej dot fjalët. Kujtoj drithërimën që më vinte nga shikimi i  fëmijëve që ngulej si shigjetë mbi mua. Edhe pse sot kam disa thinja më tepër, këto shtiza vazhdojnë të më ngulen akoma tek sa ndodhem përpara dërrasës së zezë.

Si është e organizuar një ditë e juaja për të qenë pranë nxënësve tuaj?

Unë zgjohem në orën 4:30 të mëngjesit pasi nga fshati Rrashbulli Durrësit shkoj në qytet për të marrë ndonjë automjet linje me destinacion  Librazhdin.  Atje duhet të arrij rreth orës 7:40 për të nderuar mjet. Autobusi i arsimtarëve përshkon për më shumë se një ore rrugën e rënduar dhe na sjell në shkollën “Orenj”.  Pas përfundimit të procesit mësimor më duhet të zhvendosem prapë drejt Durrësit mes të njëjtës rrugë. Në shtëpi kthehem gjatë orëve të para të mbrëmjes. Nuk mendoj për lodhjen fizike tek  sjell në mendje se po punoj për të shpërndarë dijen tek e ardhmja jonë, tek ata që nesër do jenë mjekë, artistë, politikanë apo arsimtarët tanë. Me këto mendime fle i qetë dhe i gatshëm për të ndjekur të njëjtin ritual ditën tjetër.

Pse vazhdoni ta ushtroni ende këtë profesion? Çfarë ju motivon që sakrifikoni çdo ditë duke përshkuar me orë të tëra rrugën drejt punës?

Gjatë karrierës sime kryesisht kam punuar në zonën e Librazhdit dhe nuk janë krijuar hapësirat për t’u zhvendosur. Gjithsesi një ndër shumë arsyet pse kam zgjedhur të vazhdoj marrëdhënien time me punën, janë njerëzit e jashtëzakonshëm që kam njohur në atë zonë. Banorë të urtë, punëtorë dhe të zgjuar. Për mua klasa dhe familja kanë të njëjtin sasi oksigjeni. Në të dyja ambientet mbushem plotësisht me frymë për t’u ndjerë i gjallë. I ndodhur mes dy dashurish, familja në Rrashbull të Durrësit dhe klasa në Orenjë të Librazhdit, vendosa të mos heq dorë nga asnjë.  T’i mbaj fort të dyja duke marrë parasysh të gjithë sakrificat.

Si mësues i vjetër, a keni një opinion tuajin lidhur me brezin e rinj të mësuesve që po i shtohet plejadës së arsimit shqiptar?

Unë gjykoj se mbyllja e Normales së Elbasanit ka qenë një ndër goditjet më të forta që i është dhënë mësuesisë sonë.  Atje ka qenë vendi ku për të paktën 100 vite u gatua ajka e arsimtarëve që kanë vendosur themele të forta në edukimin shqiptar.  Mua më ngjan se ky profesion është i ngjashëm më një degë arti për të cilën duhet të kesh talent që ta ushtrosh. Si një mik, si një koleg apo si një mësues i vjetër në këtë profesion tashmë, këshilloj brezin e ri që të dashurohet me mësuesinë përpara se të hyjnë në një klasë me nxënës.  Nëse i kanë lindur shkëndijat e ndjenjave të para, jam i bindur se do të jetojnë me to edhe pasi të dalin në pension