Meta e merr Lefterije Luzin në Kuvend, pas hakmarrjes nga PD – Lexo.al

Meta e merr Lefterije Luzin në Kuvend, pas hakmarrjes nga PD

Pasi u eliminua nga Partia Demokratike nga gara për një mandat të dytë në krye të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Lefterije Luzi (Lleshi) do të kthehet sërish në një funksion në administratën publike, raporton “Panorama”.

Ish-kryetarja e KQZ-së do të nisë punë si drejtoreshë në Kuvendin e Shqipërisë.

Luzi është parë në ambientet e Kryesisë së Kuvendit ditën e martë.

E kontaktuar nga “Panorama”, ish-kryetarja e KQZ-së ka konfirmuar rikthimin në Kuvendin e Shqipërisë në një detyrë të njëjtë me atë që ka pasur para se të zgjidhej si kryetare e KQZ-së katër vite më parë.

Lefterije Luzi do të marrë funksionin e drejtoreshës së Shërbimeve të Komisioneve Parlamentare, funksion i cili prej disa muajsh ishte vakant.

Ky post është mbajtur për disa vite nga Tomi Kola, ish- drejtor i Qendrës së Regjistrimeve të Biznesit (QKR). Drejtoria e Shërbimeve të Komisioneve Parlamentare është një prej drejtorive të rëndësishme të Kuvendit dhe që bashkëpunon ngushtë me kryetarin e Kuvendit, Ilir Meta.

Lefterije Luzi mbante një nga detyrat e rëndësishme në administratën Jozefina Topalli, atë të drejtoreshës së Shërbimeve Juridike dhe detyrën e anëtares së Këshillit të Lartë të Drejtësisë, si përfaqësuese e Kuvendit.

Duke qenë se ky funksion aktualisht është i plotësuar, ajo do të jetë drejtoreshë në shërbimin e komisioneve parlamentare.

Rikthimi në detyrën e mëparshme është një e drejtë ligjore që u është njohur anëtarëve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Për 6 muajt e mbetur të mandatit të këtij Parlamenti, Lefterije Luzi do të jetë një ndër bashkëpunëtoret e ngushta të Ilir Metës.

Emri i Lefterije Luzit u lakua si një ndër kandidatët favoritë për një mandat të dytë në krye të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Deri në momentin e fundit, ajo ishte drejt rimandatimit, pasi kishte mbështetjen e PS dhe LSI, por Luzi u përjashtua nga Partia Demokratike si një nga dy kandidatët që duhet të eliminoheshin nga gara.

PD preferoi të lerë në garë dy kandidatët e propozuar nga Partia Socialiste, Denar Bibën, që më pas u zgjodh si kryetar i KQZ-së dhe kandidatin tjetër, Koli Belen, i cili u eliminua gjatë garës.

Të ngjashme