Ku është programi i opozitës dhe si ka vepruar PD në 3 palë zgjedhjet e fundit? – Lexo.al

Ku është programi i opozitës dhe si ka vepruar PD në 3 palë zgjedhjet e fundit?

Ku është programi i opozitës?

Gjashtë muaj përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 18 qershorit, Partia Demokratike nuk ka paraqitur ende asnjë program qeverisës dhe nuk ka bërë ende të njohur se si qeveria e djathtë, në rast se zgjedhjet fitohet nga opozita, do të zbatojë premtimet e panumërta që ka dhënë deri tani.

Katër vjet më parë, në 2013-n, PD theu çdo rekord, duke paraqitur programin (ndonëse më shumë se program ishte vetëm një listë premtimesh) vetëm në 25 maj, vetëm një muaj përpara zgjedhjeve dhe duket se edhe në 2017-n, kjo “traditë” nuk do të ndryshojë.

Deri më tani, partia më e madhe e opozitës dhe lideri i saj, Lulzim Basha, kanë dhënë vetëm disa ide të vagullta mbi orientimet që ata do të ndjekin. Ajo që deri më tani PD ka premtuar, në rast fitoreje është ulja e çminit të naftës, ulja e çmimit të energjisë, eliminimi i taksës progresive, ulja e TVSH-së, rritja e pagave të administratës dhe pensioneve me 50%, rritja e subvencioneve për bujqësinë, rritja e investimeve në infrastrukturë, rritja e pensioneve, etj.

Premtime shumë të bukura, por që analizat ekonomike tregojnë se për t’u realizuar duhet të ndodhë një mrekulli. Nga ulja e çmimit të naftës, e çmimit të energjisë dhe e taksave, sipas vetë planit të prezantuar nga PD, të ardhurat në buxhetin e shtetit do të uleshin me 450 milionë euro.

Nga ana tjetër, PD ka premtuar një rritje të investimeve në bujqësi me 150 milionë dollarë (krahasuar me buxhetin aktual të shtetit), rritje të shpenzimeve në zërin për arsimin dhe shëndetësinë, me të paktën 150 milionë euro të tjerë në vit.

Njëkohësisht, një rritje 50% e pagës së mësuesve dhe pedagogëve, një premtim tjetër elektoral i PD, si dhe me të njëjtin nivel i rritja e pagave në administratë dhe e pensioneve, do të shtonte një barrë financiare prej rreth 400 milionë euro në buxhetin e shtetit në vit.

Për të bërë realitet premtimet e saj, PD-së do i duhej një buxhet shtetëror prej 850 milionë eurosh më i lartë se aktuali ose 1,3 miliardë euro më i lartë, nëse buxheti shkurtohet ashtu siç parashikohet prej Partisë Demokratike pas uljes së taksave. Për të mbajtur premtimet dhe për të siguruar 1,3 miliardë euro më shumë në buxhetin e shtetit, PD mund të ndjekë vetëm dy rrugë: Të rrisë ekonominë me 38% brenda vitit të parë (s’ka ndodhur kurrë në histori) ose të rrisë borxhin publik me 20% (ka ndodhur shpesh në tetë vitet 2005-13). Më e thjeshtë akoma… që premtimet të mos mbahen fare.

Lexo më shumë për analizën financiare të zbatimit të premtimeve të PD, në – http://lexo.al/analiza-financiare-premtimet-e-pd-duhet-rritje-ekonomike-38-per-ti-mbajtur/

Përballë këtyre dyshimeve të ligjshme, Partia Demokratike është e detyruar t’u tregojë shqiptarëve se çfarë ndryshimesh do të sjellin nëse do të fitojnë pushtetin, e mbi të gjitha, se si do të zbatojnë reformat që synojnë që të zbatojnë.

Në pritje të programit të PD, përvoja e zgjedhjeve të fundit tregon se për opozitën aktuale, gjithmonë ka qenë e vështirë që të hedhë në letër rrugën se si do të zbatojë premtimet e saj.

Programi 2013
– Ndonëse Partia Demokratike humbi zgjedhjet, tre shtyllat kryesore ku u bazua ai program ishin 250 mijë vende të reja pune, integrimi i Shqipërisë në BE dhe përmirësimi radikal i infrastrukturës rrugore në vend. Për asnjë prej këtyre tre qëllimeve nuk u shpjegua se si do të bëheshin të mundur.

Programi 2009 – Premtonte lëvizjen e lirë të qytetarëve, një vendim që ishte në dorën e Bashkimit Europian dhe jo të Partisë Demokratike. PD gjithashtu premtonte 160 mijë vende të reja pune, sidomos në fusha si industria, bujqësia dhe ndërtimi, përmes ndërtimit të 320 hidrocentraleve, gjashtë parqeve industriale dhe shumë të mirave të tjera që nuk u konkretizuan kurrë në katër vitet e qeverisjes 2009-13.

Nuk shpjegohej se si do të zbatohej premtimi tjetër për të përfunduar së ndërtuari dhe rikonstruktuari të gjithë akset kombëtare dhe rrugët e komunave. Nuk shpjegohej se si do të realizohej rritja e mëtejshme e pagave dhe pensioneve. Në program thuhej specifikisht se “Shëndetësia do të jetë prioritet i mandatit të dytë të Partisë Demokratike. Do të rriten investimet në arsim”. Kjo as u sqarua se si do të bëhej dhe as u bë konkretisht në periudhën 2009-13.

Programi 2005 – Me të cilin PD fitoi zgjedhjet, me slloganin “koha për Ndryshim” përmbante, midis të tjerash këto premtime:

Rritjen e mirëqënies së qytetarëve dhe eliminimin përgjithmonë të mjerimit në Shqipëri.
Rritjen me shpejtësi të vendeve të punës.
Një aleancë të gjerë me shoqërinë civile, botën akademike, universitare, median dhe biznesin.
Mundësimin e të drejtës së votimit për të gjithë emigrantët, kudo që ata ndodhen, “Nga Alaska në Zelandën e Re”.

Si gjithmonë, asnjëherë nuk u shpjegua se si do të bëheshin realitet këto premtime dhe si zakonisht, shumë prej tyre as që u bënë ndonjëherë./Lexo.al

 

Të ngjashme