Kokaina “Play Boy”, dëshmia e grekut zbulon shqiptarin nga Fieri – Lexo.al

Kokaina “Play Boy”, dëshmia e grekut zbulon shqiptarin nga Fieri

Pas arrestimit të tre shqiptarëve dhe një biznesmeni grek me 20 kg kokainë në Greqi, hetimet janë shtrirë dhe në Shqipëri për të zbuluar intinerarin e drogës dhe aktivitetin e paligjshëm të këtij grupu.

Burime nga prokuroria e krimeve të rënda në Tiranë bënë me dije për ReportTv,  se janë në pritje të materialeve që do të përcillen nga policia greke nëpërmjet policisë shqiptare, ndërsa njëherazi kanë nisur verifikimet kryesisht për të dhënat e dala në media dhe verifikimin e pasurive që këta shtetas disponojnë në Shqipëri.

Hetimet në Shqipëri po kryhen me iniciativë nga Prokuroria e Krimeve të Rënda, e cila i ka kërkuar policisë të marrë nga pala greke çdo të dhënë për shqiptarët e përfshirë në këtë rrjet.
Të paktën sipas të dhënave paraprake, dyshohet se truri i këtij grupi është shqiptari i identifikuar si Arjan Senaj nga media greke, por për prokurorinë shqiptare ai ka një tjetër gjeneralitet dhe tashmë ndaj tij kanë nisur hetimet.

Burime për ReportTv, nga akuza e krimeve të rënda, sqaruan se shqiptari i arrestuar në Greqi ka qenë dhe më parë i skeduar për trafik droge dhe shkelje të ligjit dhe dënuar nga drejtësia shqiptare.

Pak ditë më parë në pranga së bashku me shqiptarët ra dhe biznesmeni i njohur në Triakala të Greqisë, 61 vjeçari Thanasios Karatzounis.
Ndërkohë, në dëshminë e tij,  61 vjeçari Grek ka përshkruar se i gjithë trafiku është koordinuar nga shqiptari i njohur prej tij me emrin Arjan, nga qyteti i Fierit, i cili sipas Thanasit ishte një biznesmen hidrokarburesh dhe gazi.

Pritet që në Shqipëri, nga pala greke, brenda javës të përcillet fashikulli hetimeve paraprake të kryer ndaj këtij grupi dhe krimet e rënda do të nisin më pas hetimin pasurorë ndaj shqiptarëve të arrestuar si pjesë e këtij grupi.

Shqiptarëve dhe Grekut u sekuestruan 20 kg kokainë e pastër e cila ishte me logon “Play Boy” ku sipas hetuesve Helen kjo është shenjë e pastërtisë së kokainës të mbërritur direkt nga Kolumbia.