Klosi i prerë: Po verifikohen të gjitha lejet e dhëna për HEC-e – Lexo.al

Klosi i prerë: Po verifikohen të gjitha lejet e dhëna për HEC-e

Ministria e Turizmit e Mjedisit nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Universitetin Politeknik të Tiranës.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Ministri Klosi theksoi se ka ardhur koha që licencimi i ekspertëve që hartojnë raportet e vlerësimit të ndikimit në mjedis të mos jetë më nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit, por të bëhet nëpërmjet Urdhërit të Punonjësit Mjedisor, urdhër që duhet të ngrihet nga inxhinierë, teknicienë dhe ekspertë me mbështetjen e fakultetit të mjedisit. Duhet të jetë pikërisht ky udhër që të përcaktojë qartë kriteret e licensave për ekspertë mjedisorë, dhe të vendosë rregullat se kush mund ta bëjë lejen mjedisore, duke iu dhënë në këtë mënyrë kompentencën teknicienëve. Ndërsa roli i shtetit duhet të jetë jetë forcimi i kontrollit dhe penalitete më të forta për këdo ekspert që jep leje mjedisore jotransparente dhe në shkelje me ligjet e shtetit shqiptar. “Ka ardhur koha që shteti të heq kompetenca nga vetja dhe të marrë shumë më tepër rol kontrollues dhe po ashtu të vendosë penalitete më të forta, qoftë dhe për një inxhinier mjedisi, një ekspert mjedisor që jep një leje të pakoordinuar, të paazhornuar, të patestuar” – tha ministri Klosi duke nënvizuar se të gjitha lejet mjedisore duhet të jenë pjesë e një sistemi online dhe të lexueshme e të qarta për të gjithë.

I pyetur nga mediat mbi lejet mjedisore të HEC-eve, ministri Klosi u shpreh se Ministria e Turizmit dhe Mjedisit po shqyrton të gjitha lejet e dhëna për HEC-et ashtu sikurse po analizon të gjithë situatën mjedisore në vend. “Stafet tona tashmë kanë filluar punë për të gjitha lejet mjedisore që janë dhënë për HEC-et. Ne nuk jemi kundër bizneseve, nuk jemi kundër frenimit të iniciativave private në shërbim të industrisë dhe biznesit, por gjetja e një ekuilibri të qëndrueshëm është detyra jonë parësore” – tha ministri Klosi.

Pas nënshkrimit të marrëveshjes, Ministri i Turizmit dhe Mjedisit pa nga afër dy laboratorët e rinj të Fakultetit të Inxhinierisë së Ndërtimit, konkretisht të Departamentit të inxhinierisë së Mjedisit dhe atij të hidroteknikës. Gjithashtu në kuadër të programit të gjelbërimit dhe kurorës së gjelbërt të shkollave, ministri Klosi bashkë me pedagogë dhe studentë mbollën simbolikisht disa fidanë në oborrin e fakultetit.