Hipotekat për 30 mijë familje, formalizohen 600 milionë euro – Lexo.al

Hipotekat për 30 mijë familje, formalizohen 600 milionë euro

Mbi 30 mijë familje në të gjithë territorin e Shqipërisë nuk kanë sot hipotekë, për shkak të mosrespektimit të ligjit nga ana e ndërtuesve. Vendimi i Këshillit të Ministrave, këtë të mërkurë, për të akorduar brenda një afati të shkurtër kohor të gjithë hipotekat për këtë kategori zgjidh një padrejtësi që prej kohësh rëndon mbi qytetarë që nuk kanë shkelur asnjë ligj.

Zgjidhja e problemit të tapive të shtëpive ishte një premtim kyç i kandidaturës së Lulzim Bashës për kryetar Bashkie në vitin 2011, por gjashtë vjet më pas, problemi mbetet ende i pazgjidhur.

Problemi me hipotekat e shtëpive

Në të gjithë Shqipërinë, 1 320 pallate, nga të cilat rreth 700 në Tiranë nuk janë pajisur me hipotekë, pasi ndërtuesit kanë shkelur lejen e ndërtimit duke mosrespektuar hapësirat apo duke shtruar kate shtesë.

Ligji aktual kërkon rikthimin e këtyre pallateve në parametrat me të cilat është akorduar leja e ndërtimit, për të dhënë hipotekat për banorët që kanë blerë apartamente në mënyrë të ligjshme.

Paradoksalisht, prej më shumë se një dekadë, ky ligj ka dëmtuar ata që nuk kanë pasur asnjë faj, qytetarët që kanë blerë apartamente dhe jo ndërtuesit, që pasi përfundojnë pallatin nuk kanë më asnjë detyrim kontraktual ndaj banorëve.

Paradoksi ligjor

Pamundësia për të përfituar tapitë, për 30 mijë familje përbën një problem të rëndësishëm ligjor, parë në dritën e legjislacionit kombëtar e ndërkombëtar.

Të gjithë këta qytetarë, ligjërisht nuk mund të përfitojnë nga shfrytëzimi i pronës së tyre, pasi ndonëse kanë kontrata të rregullta blerje, për shtetin nuk konsiderohen ende pronarë të banesave të tyre.

Shfrytëzimi i pronës është një e drejtë bazë e njeriut, e njohur në Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut, ndaj situata kërkon një zgjidhje imediate, në dritën e përparimit të kandidaturës shqiptare për anëtarësimin në BE.

Aktualisht, personat që kanë paguar në mënyrë të rregullt për apartamentet e blera detyrohen nga shteti të shkelin ligjin, duke shitur ose dhënë me qera apartamentet e tyre në të zezë.

Për më tepër, ndërsa prej vitesh është hapur një proces për legalizimin e rreth 300 mijë banesave të jashtëligjshme, nga të cilat janë legalizuar deri më tani 130 mijë (21 mijë në periudhën 2009-13 dhe 110 mijë në periudhën 2013-16), deri më sot nuk kishte pasur asnjë zgjidhje për këtë kategori qytetarësh.

600 milionë euro të rikthyera në ekonomi

Legalizimi i banesave informale, në të gjithë vendin do të formalizojë, sipas vlerësimit të ekspertëve rreth 6 miliardë euro prona të palujtshme. Nga legalizimet e deritanishme, prona me vlerë 2,5 miliardë euro janë bërë të ligjshme, e impakti i këtij formalizimi në ekonomi do të jetë gjithmonë e më i ndjeshëm në vitet në vazhdim.

Ndërkohë, sipas çmimeve të tregut, 30 mijë banesat pa hipotekë vlejnë sot mbi 600 milionë euro, pasuri që përsëri formalizohet dhe bëhet pjesë e tregut të pasurive të paluajtshme. Njëkohësisht, pronarët e këtyre banesave, për herë të parë të kenë mundësi që të përdorin banesat e tyre për koletaral, duke marrë para hua për të blerë banesa të tjera apo për të krijuar biznese që do të ndikojnë në përshpejtimin e rritjes ekonomike të Shqipërisë.

Tapitë politike”

Prej kohësh, zgjidhja e problemit që rëndon mbi këto 30 mijë familje ka qenë pjesë e lojës politike në vend.

Në 7 Prill të vitit 2011, gjatë fushatës elektorale për Bashkinë e Tiranës, Lulzim Basha ka thënë: Brenda 6 mujorit të parë banorët e Tiranës do të marrin në dorë hipotekat e tyre. Në 13 Qershor të vitit 2013, gjatë fushatës së zgjedhjeve të fundit, Lulzim Basha ka thënë: Për legalizimet po angazhohemi 24 orë në ditë që procesi të përmbyllet dhe certifikatat nuk do të keni nevojë t’i merrni në asnjë zyre, pasi Bashkia e Tiranës do jua sjellë në shtëpitë tuaja. Përfundimisht, në janar 2017, problemi mbetet ende i pazgjidhur./Lexo.al