Gjirokastra dhe Saranda zbardhen nga dëbora, ja akset rrugore problematike – Lexo.al

Gjirokastra dhe Saranda zbardhen nga dëbora, ja akset rrugore problematike

I ftohti polar dhe reshjet e dëborës vijojnë të mbajnë të mbërthyer vendin tonë. Qyteti i Gjirokastrës dhe Sarandës është zgjuar këtë mëngjes i zbardhur nga dëbora.

Mësohet se në Gjirokastër dhe fshatrat përreth bora ka nisur që prej mesnatës së djeshme, ndërsa vijon të bjerë. Si pasojë e ngricave një 60-vjeçar me inicialet H.Ç është rrezuar në rrugë dhe dërguar në spital nga zjarrfikësit.

Në Gjirokastër aktualisht ka rënë rreth 15 centimetër borë, në Përmet 7 centimetër, në Tepelenë 4 centimetër. Ndërkohë të gjitha akset në qarkun e Gjirokastrës dhe rruga për në Sarandë janë të kalueshme vetëm me zinxhirë. Situata më problematike paraqitet tek “Qafa e Muzinës” dhe “Uji i ftohtë”, ku në të dy vendet janë angazhuar borë-pastruese për të bërë të mundur qarkullimin e automjeteve.

Policia Rrugore, është në gatishmëri dhe po monitoron lëvizjen e automjeteve, duke ju ardhur në ndihmë drejtuesve të mjeteve. Policia i bën apel qytetarëve të shmangin të gjithë lëvizjet e pa nevojshme, dhe në rast emergjence të mos hezitojnë të kërkojnë ndihmën e policisë.