“Forca e Ligjit”/ Romana Vlahutin takohet me Ministrin Xhafaj – Lexo.al

“Forca e Ligjit”/ Romana Vlahutin takohet me Ministrin Xhafaj

Ambasadorja e BE në Tiranë, Romana Vlahutin, ka zhvilluar një takim me ministrin e Brendshëm, Fatmir Xhafaj, në zyrën e këtij të fundit.

Takimi mes tyre është mbajtur larg vëmendjes së medias, dhe mësohet se ka zgjatur rreth 45 minuta.

Zyrtarisht, nuk bëhet e ditur tema e diskutimit mes palëve, por burimet thanë se ambasadorja Vlahutin ka kërkuar informacione lidhur me operacionin “Forca e Ligjit”, ku parashikohet të vihen para drejtësisë grupe të strukturuara kriminale.

Mes të tjerave mes palëve mësohet të jetë diskutuar edhe për Vettingun në Policinë e Shtetit.

Po ashtu takimi vjen në një kohë kur si Vlahutin, ashtu edhe ambasadori i SHBA-ve Donald Lu, kanë premtuar zbatimin konkret të reformës në drejtësi dhe kapjen e të ashtuquajturve “peshqit e mëdhenj”.

Ky takim vjen vetëm dy ditë pas mbledhjes së Task-Forcës Qendrore Ndërinstitucionale në kuadër të planit të veprimit kundër krimit të organizuar, operacionit – ‘Forca e Ligjit’. Janë 38 dosje të organizatave kriminale, që kanë përfunduar në duart e policisë dhe që së shpejti pritet të kemi efektet e para të operacionit.

Dy ditë më parë, disa prej zyrtarëve më të lartë në vend, Kryeprokurorja Arta Marku, ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ministri i Financave, Arben Ahmetaj, kreu i SHISH, Helidon Bendo, ishin në zyrën e ministrit Fatmir Xhafaj, ku në fokus ishin pikërisht 38 dosjet nën hetim të bandave kriminale dhe goditja e tyre.