FEDERBET heton ndeshjen e Kombëtares: Baste anormale në humbjen e Shqipërisë U-20 – Lexo.al

FEDERBET heton ndeshjen e Kombëtares: Baste anormale në humbjen e Shqipërisë U-20

Kthehet hija e trukimeve për futbollin tonë dhe tashmë nuk ka të bëjë më me klubet, por me atë që është më e shenjta për tifozët tanë, fanellën kuqezi. Ka dyshime se ndeshja e sotme miqësore e Shqipërisë U-20 me bashkëmoshatarët gjeorgjianë, mund të ketë qenë e manipuluar dhe këtë e konfirmojnë edhe organizata të cilat monitorojnë fluksin e basteve sportive.

Për takimin në fjalë, se nuk kishte qenë thjesht një ndeshje e zakonshme miqësore, u kontaktuan zyrtarë të FederBet. Organizata në fjalë, e cila bashkëpunon me Bashkimin Europian dhe ka monitoruar prej kohësh luhatjet e basteve ka dhënë një reagim zyrtar, ku thotë: –

“Jemi sinjalizuar se kjo ndeshje ka regjistruar lëvizje anormale të basteve. Në fakt, këto anomali kanë të bëjnë me përfundimin e ndeshjes me 3 apo më shumë gola”, deklaruan zyrtarisht funksionarët e FederBet, të cilët po kryejnë hetimet e tyre për rastin në fjalë.

Ndeshja u mbyll me disfatën 3-0 të Shqipërisë U-20, në një sfidë ku u humb një penallti nga kuqezinjtë në fundin e pjesës së parë, që u mbyll 1-0 për vendasit. Dy golat e tjerë të Gjeorgjisë U-20 erdhën në minutat 69’ dhe 73’.

Gjithashtu, Federbet, përveç reagimit zyrtar, ku konfirmon dyshimet, i ka nisur redaksisë së “Vipsport.al” edhe të gjithë luhatjet e koeficentëve, të cilët konfirmojnë se në ndeshjen midis Gjeorgjisë U-20 dhe Shqipërisë U-20 ka pasur baste anormale.

Trajneri Alban Bushi bëri një grumbullim me futbollistë, ku dominojnë nga kampionati shqiptar, për duelin miqësor ndaj Gjeorgjisë, i cili u zhvillua ditën e sotme.