Ermonela Felaj: Opozita nesër në Kuvend skenar si për Arta Markun – Lexo.al

Ermonela Felaj: Opozita nesër në Kuvend skenar si për Arta Markun

Kryetarja e Komisionit të Sigurisë, njëherësh deputet e PS, Ermonela Felaj, ka komentuar në studion e Report Tv akuzat e PD ndaj vëllait të ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafaj, dhe qëndrimin e këtij të fundit. Felaj deklaroi se akuzat e PD nuk lidhen me ministrin Xhafaj si individ, por kanë për qëllim rrëzimin e qeverisë, teksa vendi ndodhet në prag të hapjes së negociatave.

Sipas ligjvënëses socialiste, opozita po shfrytëzon skepticizmin e disa vendeve evropiane me të dhëna të sajuara për të sulmuar mazhorancën, e cila sipas saj, ka marrë një rekomandim pa kushtëzim për integrimin e Shqipërisë, si dhe ka shënuar rezultate mjaft të rëndësishme në luftën kundër krimit dhe korrupsionit.

Ndër të tjera, deputetja zbuloi dhe skenarin e opozitës nesër në seancë plenare, duke paralajmëruar të njëjtën situatë si në seancën kur u zgjodh Kryeprokurorja e Përkohshme, Arta Marku, ku opozita hodhi tymues e flakadanë në sallë, si dhe zhvilloi protestë jashtë dyerve të Kuvendit.

Do kemi rast të shohim të njëjtin spektakël të shëmtuar që opozita di të bëjë. Të njëjtin spektakël serviri edhe për Kryeprokuroren, kështu pritet edhe nesër.

Ermonela Felaj, deputete e PS
Pse akuzat e PD tani?
Sepse Shqipëria ka marrë një rekomandim pa kushtëzim, që do të thotë se i ka kryer detyrat e shtëpisë. Në luftën kundër krimit e korrupsionit janë kryer rezultate shumë të rëndësishme. Pikërisht se është ky moment kaq i rëndësishëm, që i jep avantazh politikës sonë, opozita është vënë në lëvizje.

Vendet evropiane ka qenë skeptike, ndaj po shfrytëzohet ky lloj skepticizmi me të dhëna që sajohen. Kjo luftë nuk është thjesht me individin, me Xhafajn, një luftë që i është shpallur kësaj mazhorance. Çështja Tahri është krejt tjetër, le t’ia lëmë në dorë Prokurorisë.

Është një ëlvizje e qëllimshme, që fatkeqësisht vë në plan të dytë interesat e Shqipërisë. Qoftë PD apo LSI duhet të vinin në radhë të parë interesat e shqiptarëve. Mjafton të shohësh rrethanat si u servir kjo ngjarje.

Agron Xhafaj ka shkuar në Prokurori dhe ka regjistruar zëri dhe ka ikur të përballet në Itali, konfirmohet se bëhet fjalë për zërin e tij?
Dua të siguroj për diçka se as unë si deputete e PS dhe askush tjetër nuk jemi këtu për të mbrojtur familjarët tanë, motra, vëllezër apo diçka më lartë. ne jemi këtu për të siguruar se në punën e kolegut nuk ka asnjë hije se ka përdorur detyrën për të ndihmuar familjarin e vet. Ata kanë ndërmarrë një ekspertizë private për të provuar se audio-përgjimi nuk është i vërtetë. Ky audio-përgjim është autentik ose jo.

A nuk duhet të ishte distancuar më parë Agron Xhafaj?
Kjo nuk është punë e PS për t’u marrë me Agron Xhafajn. Neve na intereson se ministri apo kushdo tjetër i PS të jetë distant ndaj çdo veprimi.

Ministri nuk ka shkelur asnjë ligj, a duhej moralisht të dorëhiqej?
Qëndrimin moral ministri e ka mbajtur, ky është qëndrimi më moral që mund të mbajë.

Neni 491 për të cilin Xhafaj akuzohet se ka ndërhyrë për ta ndryshuar, çfarë informacionesh keni?
Nuk kam qenë anëtare e Komisionit të Reformës në Drejtësi, por mund të sjell dy prova. Për çështjen e ekstradimeve ne kemi nënshkruar Konventën Evropiane. Kur vendi që bën kërkesën për ekstradim nuk ka një standard të mirë për të ofruar siguri vendi tjetër nuk mund të japë ekstradim pa marrë garanci. Procesi ka qenë i hapur, transparent. Ne e kemi për detyrë të zbatojmë Konventën.

Mbledhja e Këshillit të Sigurisë…
Nuk ka asnjë lidhje me aktualitetin, ishte parashikuar. Është thjesht për informim të sigurisë.

Nesër seanca plenare, si pritet të vijojë qëndrimi i opozitës?
Do kemi rast të shohim të njëjtin spektakël të shëmtuar që opozita di të bëjë. Të njëjtin spektakël serviri edhe për Kryeprokuroren, kështu pritet edhe nesër.Shqiptarja.com/j.j