E humbe si “Xhaferri simiten”! – Lexo.al

E humbe si “Xhaferri simiten”!

Nga Anri Bala

Thonë, që i frikësuari nuk ka limit për tu ndalur…! Nuk ka më dyshim se, Presidenti i xhindosur, si pjesë e kësaj gjinie, e ka humbur toruan… dhe ka nisur të sokëllijë, për të burrëruar e trimëruar veten dhe bandën e tij! I “torturuar” nga frika në netët e gjata pa gjumë, po e shikon se si është holluar fija e flokut të kalit, që mban pezull “shpatën” mbi kokën e tij, e që nga çasti në çast, mund të këputet duke e zënë poshtë atë me gjithë parti…!

Thirrjet e tij për dhunë dhe armatosje, të kujtojnë Berishën dhe ish-pinjollin e oborrit të tij, ku i pari e bëri nga rroitja në mes të parlamentit, ndërsa i dyti ende se ka kuptuar se pse e bëri: Basha doli në rrugë, e nga brenda “Çadrës së Trimave”, me klithmën e tij të ngjirur, arriti ta mbylli ngujimin me nder, por me… shumë erë?!

Por britmat e Presidentit në Pritje, e që shumë gjasa ka të jetë i pari i këtij lloji në ikje, pa u ulur kurrë në atë karrige, janë sa absurde po aq edhe qesharake! “Rrëmbeni armët trima, do të hakmerremi për kryefshatarin e “lënduar”, nëse nuk lidhen ata zagarë”, e pa mbaruar fjalën, nga xhepi i “ustait” të tij dhe urdhëruesit të shfaqjes sajesë, doli zarfi i fryrë me “kartolina falenderimi” për kryefshatarin dhe me pëllëmbën tjetër, i’a rrahën gjoksin në shenjë mirënjohje, për detyrën e shkëlqyer, që kishte bërë për partinë!

Por sigurisht, kjo shfaqje e shëmtuar dhe e mirëpaguar me plaçkë, i dha zemër Presidentit tonë në pritje të ikjes…, e bëri të krekosej si gjeli në maj të plehut, i dha arsye të lëshoi sokëllimën e tij të fundit për “ndihmë”…, e cila s’më kujtoi aspak Berishën e as Lulin, por vetë atë, kur kërkonte të mbronte me fjalor rruge 7% e famshëm, që ia prishi qetësinë Berishës, duke e detyruar të bënte më 21 Janar, atë që nuk do ta bënte kurrë… as për djalin e tij!

Nuk besojmë, se presidenti e ka harruar dashurinë që ia ka shpërblyer dhe po ia shpërblen në çdo kohë dhe çdo vend, sepse është borxh i pashlyeshëm ai! Ishte Berisha që i solli dashurinë, terezinë, gjumin kur “hataja” e katandisi si “pllum tuj cofun”, aq sa edhe sanitarja e vilës së tij, me zor e njihte dhe i dukej si fantazëm!

Partisë së Presidentit Daullexhi, nuk po i dëgjohet më “kënga” e dikurshme, që pas hedhjes në kafazin e luanëve të saj si kërmë për ushqim… Por ama, kujet dhe vajtimet po i dëgjohen, e nga frika që tam-tamet mos t’i bien në vesh të shurdhër, ka ndërmarrë prej kohësh “turin e falenderimeve” me fyerje nëpër Shqipëri. Në krye të “llogores” qëndron daullexhiu i zbythur me ceremoni “mortore” nga partia e tij, nga ata që e detyruan që të ishte këmboraxhiu i ardhshëm dhe i shoqëruar nga instrumentistët e tij të preferuar të orkestrës së vajit!

Në shkelje të hapur të Kushtetutës, kryeorkestranti ka nisur turin e pagimeve në çdo qytet të vendit, sigurisht në formë kleringu për “falenderimet”, që nuk janë garancia për të dalë pa lagur nga drejtësia, e cila i është qepur pas, por një mjet për t’i rikthyer shpresën e humbur.

Presidenti Daullexhi, i ra pishmanit zgjedhjes së tij forcë e parë, në shpërndarje dekoratash, nën petkun e “il pentitos” dhe kjo është arsyeja përse ka nisur të bëjë rrëmujaxhiun. Humbja e sigurtë, shumë shpejt do t’a detyroi të ngrejë një “Çadër të Mërisë”, tek oborri i presidencës. Edhe do t’a bëj, pasi çadra si ato i ka përdorur gjithmonë, sidomos për t’i shitur karshillëk popullit, duke organizuar datëlindje me vlerë qindra mijëra euro.

Ndoshta, kjo do jetë çadra më e veçantë në llojin e atyre që kemi parë deri më tani, e që ka gjasa të futet në rekordet “Guinnes” si: Çadra e Presidentit horr, përpara horrave të Presidencës, të cilëve të “armatosur” do të i’a dëgjojmë këngën e fundit të “repertorit” të tyre!/Zathur.net