Dosja e dytë/ Si i zhduku Berisha dokumentet e shitjes së OSSH – Lexo.al

Dosja e dytë/ Si i zhduku Berisha dokumentet e shitjes së OSSH

Rëndohen pozitat e ish-kryeministrit Sali Berisha dhe rrethit të tij politik në raport me privatizimin abuziv të Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH), privatizim i cili ka prodhuar një dëm financiar prej 414 milionë eurosh.

Komisioni hetimor për çështjen ‘CEZ”, përpos të tjerave, ka konstatuar se, një pjesë e rëndësishme e dokumentacionit të shitjes së 76 për qind të aksioneve të OSSH tek CEZ, është zhdukur para dorëzimit të pushtetit në shtator të 2013, me qëllim për të mbuluar gjurmët e abuzimeve.

Burime pranë komisionit hetimor thanë për Shqiptarja.com se, në operacionin e zhdukjes së dokumentacionit për procedurat e privatizimit të OSSH kanë marrë pjesë të gjitha institucionet e përfshira në procesin e privatizimit.

Por, nga hetimet e deritanishme, rezulton se, rolin kryesor e ka luajtur Kryeministria, me në krye ish-kryeministrin, Sali Berisha dhe Enti Rregullator i Energjisë. Në kuadër të verifikimit të zbatimit të legjislacionit në fuqi dhe mbrojtjes së interesit të shtetit shqiptar gjatë procedurave të privatizimit të OSSH, komisioni hetimor ka kërkuar informacion nga të gjitha institucionet e përfshira në proces.

Sipas burimeve, informacioni i dërguar nga institucionet në komision ka qenë i mangët, për shkak se ish-kryeministri dhe ish-ministrat e larguar nga pushteti në 2013, kanë zhdukur një pjesë të dokumentacioni, para se të braktisin zyrat. Më shumë se sa dokumentacioni i mbetur, janë dëshmitë ata të cilat po hedhin dritë mbi përmasat e skandalit të privatizimit të OSSH.

Dosja e dytë

Në vlerësimin e anëtarëve të komisionit hetimor, përfaqësues të Partisë Socialiste, zhdukja e dokumentacionit, sidomos nga stafi i ish-kryeministrit Sali Berisha, përbën vepër penale. Megjithatë, komisioni nuk ka marrë ende një vendim për të vënë në lëvizje Prokurorinë. Besimi tek kjo e fundit është minimal, për shkak se prokuroria sapo ka mbyllur dosjen për skandalin në fjalë. Gjithsesi, gjetjet e komisionit për çështjen e zhdukjes së dokumentacioni do të përmblidhen në një dosje më vete, e cila sipas gjasave mund të referohet tek organet e reja antikorrupsion.

Dokumentacioni i mbetur

Ministria e Energjetikës dhe Kryeministria kanë vënë në dispozicion të komisionit hetimor çdo dokumentacion të nevojshëm, i cili ka mbetur nga operacioni i pastrimit të dokumenteve nga qeveria paraardhëse. Kështu, Ministria e Energjisë, Ministria së Ekonomisë dhe Enti Rregullator i Energjisë kanë vënë në dispozicion të komisionit mbi 50 dokumente, të cilat hedhin deri diku dritë mbi prapaskenat e privatizimit. Po ashtu, Kryeministria ka vënë në dispozicion të komisionit hetimor procesverbalet e mbledhjeve të qeverisë, kur janë miratuar vendime dhe kur është diskutuar mbi shitjen e OSSH tek CEZ.

Të ngjashme