Dënohet me vdekje racisti në SHBA – Lexo.al

Dënohet me vdekje racisti në SHBA

Dylann Roof u dënua me vdekje për vrasjen e 9 njerëzve me ngjyrë, në një kishë të qytetit Charleston më Karolinën e Jugut në vitin 2015.

Muajin e kaluar, 22-vjeçari Roof, një supremacist i bardhë famëkeq, u shpall fajtor për 33 akuzat kundër tij, përfshirë “vrasje” dhe “krime urrejtjeje”, e të martën juria vendosi unanimisht të kërkojë dënimin me vdekje për 18 nga akuzat që e parashikojnë këtë.

Pas një mbledhjeje prej 3 orësh, anëtarët e jurisë, 8 femra dhe dy meshkuj, i thanë gjykatësit se Roof duhej ekzekutuar. Mediet amerikane raportojnë se ky i fundit nuk shfaqi asnjë emocion gjatë seancës gjyqësore, ndërsa i tha jurisë se nuk ishte i sëmurë mendor dhe kishte bërë atë që duhej të bënte, duke mbrojtur pikëpamjet e tij raciste.

Të mërkurën pritet dhënia formale e dënimit me vdekje nga gjykatësi, duke e bërë kështu Dilan Roof, personin e parë në historinë amerikane që merr dënimin kapital për krime urrejtjeje.

Ekipi mbrojtës i Roof tha se dënimi me vdekje do të zgjasë këtë çështje pa fund, ndërsa gjyqi nuk arriti të zbardhë arsyet për tragjedinë. Vetë Roof, gjatë procese gjyqësore nuk dha asnjëherë arsye për masakrën që kreu, por gjithashtu nuk tregoi kurrë se ishte penduar, madje i tha jurisë së nuk kishte vlerë që të kërkonte burgim të përjetshëm në vend të dënimit me vdekje.

Më herët, gjatë marrjeve në pyetje nga FBI-ja, ai deklaroi para hetuesve se, me vrasjet që kreu shpresonte të rikthente masat e izolimit racor apo të niste një luftë racore.