Bruksel: Negociatat 1 – balta 0 – Lexo.al

Bruksel: Negociatat 1 – balta 0

Nga Flogert Muça/

Dje në editorialin e pak orëve para se Rama e Basha të flisnin respektivisht në takimet e tyre në Bruksel,  shkruaja se kryedemokrati ka një mundësi të artë për të qenë në krah të Shqipërisë dhe për të dhënë kontributin e tij pro çeljes së negociatave Shqipëri-BE. Por u deshën pak orë që të jeptë sinjalin e parë që kjo nuk do të ndodhte, kur nga PPE nxiu e volli vrer kundër vendit të tij.

Për fat të keq, ajo që pritej ndodhi. Lulzim Basha shkoi dje në Bruksel dhe tha të gjitha ato që thotë si  ai edhe doktori çdo të enjte në Kuvend, duke e treguar Shqipërinë në sytë e BE-së sterr të zezë e duke ju thënë eventualisht që të mos pranojnë të çelin negociatat.

Nuk kishte asnjë suprizë as fakti që Basha dha një deklaratë që nxinte Shqipërinë  për gazetën ruse “Rossijskaja Gazeta”, një e përditshme e kontrolluar nga shteti dhe rrjedhimisht, e njohur si një zë besnik i Moskës zyrtare. Askush nuk u habit kur nga ana tjetër kishte “porositur” një vajzë nga FRPD që në forumin “Friends of Europe” që u zhvillua në Bruksel, të ngrihej e të pyeste kryeministrin për Tahirin e drogën, për t’i treguar medemek të pranishmëve se Shqipëria është keq. Ky plan i parapërgatitur mirë, tanimë është një fakt që e kupton lehtë secili që sheh sjelljen prej një ushtrie anti-Integrim.

Por, përtej pritshmërive dhe mungesës së surprizës në strategjinë e Partisë Demokratike, ajo që bie në sy është fakti që kryetari i Partisë Demokratike i ka zhdukur nga fjalori i tij fjalët “Negociata” dhe “Integrim”.

Në kohën kur kryeministri promovon dhe merr mbështetje për Shqipërinë nga e gjithë kupola e BE-së, kemi një kryetar opozite që nuk tërhiqet nga sulmi ndaj vendit të tij, duke mos thënë asnjë fjalë për negociatat dhe integrimin e vendit. Këtu duket se ka një kompleks inferioriteti të pakontrolluar të tij, kur sillet si ai fëmija i vogël që dikush i merr diçka dhe ai fillon dhe thyen gjithçka. Ashtu ngjan Basha i cili duke parë se si BE dhe Rama janë një mendje për Shqipërinë drejt BE-së, do të thyejë me çdo kusht gjithçka.

Thënë ndryshe, nuk ka asnjë shpjegim tjetër veç faktit se Basha ndodhet sërish në një çadër virtuale dhe në një krizë reale brenda partisë së tij, dhe njëlloj si para zgjedhjeve i ka shpallur luftë shqiptarëve dhe ndërkombëtarëve!

Megjithatë, në gjithë këtë luftë, rezultati është negociatat 1 – balta 0. /Lexo.al