BERZH 100 milionë euro investime në infrastrukturë dhe mjedis – Lexo.al

BERZH 100 milionë euro investime në infrastrukturë dhe mjedis

Një memorandum bashkëpunimi për infrastrukturë lokale dhe mjedis, u nënshkrua në Jordani mes Ministrisë së Financave të Kosovës dhe Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për projekte në komunat e Kosovës, me vlerë totale deri në 100 milionë euro.

Memorandumi i nënshkruar nga ministri i Financave, Bedri Hamza dhe Presidenti i BERZH-it, Suma Chakrabarti, shërben si kërkesë fillestare për financim nga Ministria e Financave të Kosovës për projekte në sektorë kyçë të infrastrukturës lokale, siç janë ujërat dhe trajtimi i ujërave të zeza, menaxhimi i mbeturinave të ngurta, ngrohja qendrore, transporti, infrastruktura rrugore dhe efiçienca e energjisë.

Nënshkrimi i këtij memorandumi rithekson zotimin e Ministrisë së Financave për të siguruar financim për projekte të nivelit lokal, të cilat janë të rëndësisë së veçantë për përmirësimin e cilësisë së jetës të qytetarëve të Kosovës.

Ministri Bedri Hamza, gjithashtu pritet të takojë edhe përfaqësues të tjerë të nivelit të lartë të Bankës për të diskutuar progresin e projekteve aktuale dhe mundësitë e financimit të projekteve potenciale për Kosovën.

Ministri Hamza kërkoi që përveç aktivitetit aktual, Banka të zgjerojë mbështetjen për sektorin privat, në veçanti për mbështetjen e bizneseve të reja, që udhëhiqen nga të rinjtë dhe gratë.

Hamza po merr pjesë në takimet vjetore të organizuara nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), që po mbahen në Aman, Jordani.