Basha: Ditë e zezë për median, lirinë dhe demokracinë… – Lexo.al

Basha: Ditë e zezë për median, lirinë dhe demokracinë…

Lajmi i djeshëm që u komunikua në media për labërgimin nga postet drejtuese të Armand Shkullakut dhe Alfred Lelës, ka sjellë sot edhe një reagim të kreut të PD-së, Luzlim Basha.
Në një deklaratë të tij, Basha e ka konsideruar ditën e djeshme një ditë të zezë për median shqiptare si dhe ka akuzuar qeverinë se po kërkon të vendosë të gjitha mediat nën tutelin e saj.

Reagimi

Dje ishte një ditë e zezë për median, lirinë dhe demokracinë. Largimi i dy drejtuesve, Armand Shkullaku nga ABC news dhe Alfred Lela nga gazeta MAPO, është një lajm i keq për vendin, është një hap më shume drejt zaptimit të medias nga një regjim i korruptuar e kriminal. Armand Shullaku dhe Alfred Lela nuk kanë nevojë për vlerësimin tim, sepse ata i kanë vlerësuar dhe respektuar qindra mijëra shqiptarë në shumë vite kontribut publik. Ata nuk kanë nevojë as për mbrojtjen time, sepse puna, talenti dhe aftësia e tyre janë mbrojtje ndaj çdo lloj regjimi.

Por largimi i tyre, vetëm për t’i vënë këto media në shërbim të plotë ndaj qeverisë është lajm i keq për të gjithë. Është lajm i keq sepse kur politika, interesat e biznesit dhe media bëhen bashkë, ditë të vështira vijnë për një vend dhe popull. Kjo ditë ka ardhur për Shqipërinë.

Ata janë bërë bashkë për të ruajtur pushtetin dhe paranë. E keqja është bërë bashkë, kundër qytetarëve. Tani është koha që qytetarët të bëhen bashkë kundër tyre. Ne nuk do t’ia dorëzojmë vendin sunduesve që pas fasadave dhe mashtrimeve mediatike po vjedhin dhe po vrasin një vend dhe një popull.