Arrestimi i Gjuriç në Kosovë/ Veseli përplaset me homologen serbe – Lexo.al

Arrestimi i Gjuriç në Kosovë/ Veseli përplaset me homologen serbe

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli dhe kryetarja e Kuvendit të Serbisë, Maja Gojkovic janë përplasur me deklarata në Lubjanë të Sllovenisë për rastin e arrestimit dhe deportimit të Marko Gjuricit i cili u fut ilegalisht në Kosovë.

Kryetarja e Parlamentit serb e shfrytëzoi fjalën e saj në punimet e Sesionit të Pestë Plenar të Asamblesë Parlamentare të Procesit të Bashkëpunimit të Evropës Juglindore ku ishin të pranishëm kryeparlamentarë të vendeve të rajonit, për tu ankuar se Kosova e ka arrestuar zyrtarin e lartë serbë.

”Dialogu me Prishtinë po vazhdon tash e pesë vjet, por më duhet të theksoj se ndodhi një incident i rëndë, ku është arrestuar njëri nga pjesëmarrësit e dialogut, Marko Gjuric”- tha kryetarja e Kuvendit te Serbise duke u munduar ta paraqes rastin e Gjuricit si veprim të parregullt nga ana e institucioneve kosovare.

Por i menjëhershëm ka qenë reagimi i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, i cili tha se Gjuriq ka qenë disa herë në Kosovë por natyrisht duke marrë leje, ndërsa sipas Veselit, Marko Gjuric, është dëbuar pasi është futur në territorin e Republikës së Kosovës në mënyrë ilegale.

“Për rastin e Gjuricit, të cilin e përmendën kolegët nga Serbia, neve na vjen keq, shpresojmë që në të ardhmen të mos ndodh më, por Kosova është shtet i pavarur, andaj duhet respektuar ligjet dhe institucionet e Republikës së Kosovës. Gjuric si zyrtar i lartë i Serbisë, ka qenë disa herë në Kosovë. Ai është i mirëseardhur në Kosovë sa herë që të dojë, por që duhet të respektojë institucionet, pra të marrë leje për të hyrë në Kosovë. Pra në rastin në fjalë ai erdhi në Kosovë në mënyrë ilegale, nuk respektoi autoritetet shtetërore, bëri përpjekje për të krijuar kriza që kanë qenë të panevojshme, andaj ai nuk është arrestuar por është dëbuar nga shteti i Kosovës”, ka thënë Veseli.