Apostolova: Pyetni njerëzit tuaj pse e kanë pranuar demarkacionin si kusht për vizat – Lexo.al

Apostolova: Pyetni njerëzit tuaj pse e kanë pranuar demarkacionin si kusht për vizat

“Demarkimi është ose po ose jo, ne nuk mund të ju ndihmojmë. Demarkimi duhet të plotësohet. Nuk dua të angazhohem në lojën e fajtorëve kush çka ka bërë. Ky kusht është pranuar nga ju, pyetni njerëzit tuaj pra pse e kanë pranuar atëherë këtë kusht”, tha Apostolova.

Shefja e Zyrës së BE-së në Kosovë Natalia Apostolova tha sot se demarkacioni është politizuar.

Pas takimit me shefin e grupit parlamentar të PDK-së dhe anëtarët e komisioneve të Kuvendit nga kjo parti, shefja e Zyrës së BE-së Natalya Apostolova kriteret për liberalizim të vizave i vlerësoi jopolitike.

“Kriteret për liberalizim nuk janë kurrë politike, ngase nuk bëhen nga politikat e jashtme të BE-së, por nga shërbimet teknike- Drejtoria për Fqinjësi të Mirë”, tha Apostolova.

Për të lëvizur pa viza qytetarët e Kosovës, institucionet duhet ta ratifikojnë marrëveshjen për demarkacion me Malin e Zi dhe të kenë rezultate në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Apostolova më tutje deklaroi se askush nuk e ka pritur që Kosova të ketë kaq shumë problem me ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit me Malin e Zi të nënshkruar në Vjenë në vitin 2015.

“Mali i Zi e ka ratifikuar aq shpejt dhe askush nuk e ka pritur që ju do të keni kaq shumë problem. Kjo çështje është politizuar dhe është pikëlluese si është politizuar”, tha Apostolova.

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj në vendimin e tij të parë kur erdhi në këtë detyrë e shkarkoi Komisionin për Shenjimin e Kufirit me Malin e Zi, ndërsa vazhdon të thotë se kufiri mes dy shteteve është në Çakorr dhe Kullë, që nuk janë pjesë e Kosovës në vijën ndarëse të përcaktuar me marrëveshje.

Kryeministri Edi Rama tha kur u takua në Tiranë me Haradinajn se po shpreson që Haradinajt i duhet edhe pak kohë të ndryshojë qëndrimin opozitar për demarkacionin.

Apostolova, pas takimit me zyrtarë të PDK-së, tha se çështja e demarkacionit duhet kryer.

“Demarkimi është ose po ose jo, ne nuk mund të ju ndihmojmë. Demarkimi duhet të plotësohet. Nuk dua të angazhohem në lojën e fajtorëve kush çka ka bërë. Ky kusht është pranuar nga ju,  pyetni njerëzit tuaj pra pse e kanë pranuar atëherë këtë kusht”, tha Apostolova.

Të ngjashme