Apatia e Republikës së Re – Lexo.al

Apatia e Republikës së Re

Nga Artan Boriçi/

Kur filluan ndryshimet demokratike në fillim të viteve 1990 shumë të rinj e të reja të lëvizjes studentore patën pikërisht idealin e një Republike të Re. Ne e dimë fort mirë se ajo republikë u krijua me 50-vjeçarë të lindur ditët e para të pas luftës, të cilët nuk njihnin as Rolling Stones e as Bob Dylan. Nuk ia kishin idenë e muzikës rock megjithëse bashkëmoshatarët e tyre kishin kryer revolucionet rinore në Perëndim. 50-vjeçarët ishin republika e pantallonave terital dhe e këmishave të najlonit pa kulturë perëndimore e me një informacion të vagullt mbi Perëndimin. Elita e tyre, e cila ishte dërguar jashtë, kishte një ide të mjegullt frankofone sepse Franca ishte i vetmi vend ku mund të shkoje. Po të dije dy fjalë frengjisht quheshe tepër i ditur edhe pa patur asnjë pikë takimi me kulturën e vërtetë frankofone. Nuk ishte e rastit që në krye të lëvizjes demokratike dolën doktor Berisha dhe profesor Pashko. Nuk ishte e rastit që 80-vjeçarët e Partisë së Punës zgjidhën Fatos Nanon në krye të Partisë Socialiste. Ishin këta ndoshta të paktët që zotëronin gjuhë të huaja dhe që kishin vokacion politik Perëndimor në kampet përkatëse të atyre viteve.

Nuk ka asgjë të keqe deri këtu. Ajo që stonon është fakti që këta tërhoqën gjithë mediokritetin e mundshëm në udhëheqje. Nuk pati një inxhinier të vetëm që të udhëhiqte Shqipërinë, të vetmit që dinin me hollësi se si funksionon një uzinë komplekse? Por problemi që dua të ngre nuk është kjo përzgjedhje kryekëtput e dobët e atij lidërshipi, por pengesa për të futur në sistem 20-vjeçarët e asaj kohe. Shumë prej tyre ia mbathën nga sytë-këmbët për mbijetesë. Ata që mbetën në Shqipëri u shndërruan në 50-vjeçarë by default sepse ishin nën hijen e tyre. Republika e Re e viteve 1990 u shkatërrua që në lindje. Ajo që mbeti ishte vetëm dëshira e shqiptarëve për liri dhe përparim.

Historia dihet dhe ja ku jemi pas 27 vitesh e kërkohet Republikë e Re, përsëri! Përse tani? Sepse 50-vjeçarët e asaj kohe, qofshin këta në Shqipëri apo Perëndim po bëhen 70 plus-vjeçarë. Në Shqipëri, njëlloj si në vitet 1990, ndryshimi nuk po vjen nga brenda por nga jashtë. Elitat e brezit të lindur pas lufte, në të gjithë botën, po vjetërohen. Rolling Stones vazhdojnë të luajnë, vazhdojnë të kenë klas, por nuk kanë ndikuar dhe nuk ndikojnë negativisht në jetën e rinisë. Po ku janë 70 plus-vjeçarët profesionistë të vendit tonë? Disa prej tyre u bënë pjesë e bizneseve të autostradës duke përfituar prej shokëve të tyre në politikë.

Sot, në gjithë botën, rinia trashëgon një udhëheqje apatike dhe pa fantazi. Në vendet si Shqipëria situata është edhe më mbytëse. Megjithatë sinjali që vjen përtej oqeanit është i përzier midis shpresës dhe dëshpërimit. Është shpresëdhënëse që në krye të Republikës më të madhe Perëndimore të vijë një person që është bërë vetë, e që nuk ka patur nevojë për mentorë politikë. Është shpresëshënëse retorika e tij që të njëtin shembull duhet të ndjekin edhe të tjerët. Por është dëshpëruese që individë të tjerë nuk patën guximin për të hyrë në politikë. Psh, përse nuk hyri në politikë Mark Zuckerberg, një shpresë e vërtetë për gjithë rininë botërore?

Le të vijmë edhe një herë në vendin tonë. Liderët politikë majtas e djathtas që mbështesin Republikën e Re shumë pak kanë bërë deri tani. Dikush thotë se kam parë demokracinë aty e atje sikur po i drejtohet shiptarëve të vitit 1990! A e dinë ata se sa shqiptarë ka sot të moshës nën 40 vjeç që janë bërë vetë në Perëndim, kanë parë demokracitë atje e janë kthyer në atdhe? E çfarë shqiptarësh! Kampionë në profesionet e tyre, qofshin këta biznesmenë apo të punësuar, si dhe kampionë në një gjini sportive! Po i referohem atyre që janë zhvilluar vetë e pa mentorë politikë në platetë apo llozhat e shfaqjeve poltike të Perëndimit!

Cila është pra Republika e Re? Ku janë rinia? Ndoshta këtu është për të bërë një reflektim pozitiv për ato forca politike që nuk kanë frikë të vendosin 20-vjeçarët në krye të listave dhe të partive. Por përsëri shumë pak!

Shqipëria i ka të gjitha shanset për një revolucion rinor të pa importuar nga jashtë. Nuk njoh ndonjë 20-vjeçar, të paktën aytre që iu jap mësim, që mos të kenë një kulturë të përgjitshme Perëndimore, që të mos flasin rrjedhshëm anglisht. Ato dhe ata duhet ta ndërtojnë vetë të ardhmen e tyre. Ai ose ajo dikushi që mendon se janë të “papjekur” mendon dy herë gabim. Cili brez ka më shumë energji se mosha 20-vjeçare? Revolucioni kërkon energji. Së dyti, ai ose ajo që ka dyshimin e arsyeshëm se ky brez nuk ka arritur formimin profesional nuk duhet të ketë frikë. Administrata e shtetit është aty për t’iu përgjigjur me të gjitha nevojat teknike dhe prefesionale. Nuk bëhet fjalë për revolucion proletar, bëhet fjalë për ndërrim brezash në udhëheqjen politike të një vendi.

Flitet se listat e disa partive paskan profesionistë të fushave të tyre? Çfarë ka bërë fushata e këtyre partive për të nxjerrë në pah këta profesionistë? Shumë pak, me pikatore. Shqipëria nuk është Francë, por frymëzimi duhet të vijë prej Macronit. A ka shqiptarë që e njohin deputetin Cedric Villani? Është drejtor i institutit Henri Poincare dhe fitues i medaljes Fields në matematikë dhe plot 43 vjeç! A kemi ne të tillë të ngjashëm në atë moshë? Po, për famën e tyre dhe moshën e tyre si psh 20-vjeçarë që punojnë me Mark Zuckerberg dhe udhëtojnë me executive jet! Jo, për arësyen se punojnë jashtë. Por kemi të kthyer që prej disa vitesh dha kanë moshën 41 vjeç! Janë titullarë të patentave ndërkombëtare të teknologjisë së betonit dhe ponojnë në Shqipëri. Ku janë të tillët në lista?

Pyetja që kam për liderët politikë: a i masim njëherë paratë e fitura pa mentor politikë si dhe miljet e fluturimeve anekënd botës e numrin e fjalimive ndërkombëtare të këtyre shqiptarëve që përmenda më lart me ata që njohin vetëm një vend të vetëm, tipike e një emigranti të zakonshëm? Shqiptarët shohin dhe njohin! Nuk jemi në vitin 1990! Republika e Re nuk fillohet vetëm me tërheqjen për krahu prej kancelarive Perëndimore. Po, kemi nevojë edhe për lider të tillë, por të tillët duhet të dinë të përfitojnë prej atyre të rinjve që përmdna më lart, të rinj që janë shumë më lart kulturalisht dhe profesionalisht, që kanë parë më shumë se i kanë parë e që nuk ia kanë nevojën politikës, por politika ka nevojë për ta!

Të ngjashme