Andreoti, Freedom House dhe nervi i zbuluar i Ilir Metës – Lexo.al

Andreoti, Freedom House dhe nervi i zbuluar i Ilir Metës

Nga Skënder Minxhozi

Ish kryeministri italian Xhulio Andreoti shprehej dikur se nuk duhet reaguar në asnjë mënyrë ndaj sulmeve dhe akuzave të kundërshtarëve, pasi rrezikon t’u bësh reklamë atyre. Dhe dhelpra e vjetër e politikës italiane e zbatoi me fanatizëm, sipas biografëve të tij, këtë parim gjatë gjithë jetës së tij legjendare politike. Por jo gjithkush e ka pasur dhe e ka instiktin dhe inteligjencën e Xhulio Andreotit, brenda dhe jashtë Italisë.

Në orët e fundit, presidenti Ilir Meta po bën pikërisht të kundërtën e aksiomës së vjetër andreotiane. Po ngrihet, së bashku me ish partinë e tij, kundër një raporti të Freedom House, një organizatë joqeveritare amerikane, ku shkruhet se lufta kundër korrupsionit në Shqipëri u dëmtua me zgjedhjen e Metës kryetar shteti me votat e socialistëve.

Akuza është e rëndë, por edhe reagimi që po shohim është i shpërpjesëtuar. Rrethi i ngushtë i këshilltarëve të kreut të shtetit dhe zyrtarë të lartë të LSI kanë derdhur të gjitha bateritë kundër raportit në fjalë. Duke bërë pa dashje, që edhe ata shqiptarë që nuk i lexojnë më kurrë raportet e huajve për vendin tonë, të hedhin një sy në internet, për të gjetur aludimet ndaj presidentit Meta.

Gjëja që i duhet më pak Ilir Metës në këto kohë, është që të shfaqet sërish në llogoren politike të ish partisë së tij, në shoqërinë e Petrit Vasilit. Presidenti është përpjekur fort dhe gjatë në muajt e fundit, që të japë imazhin e shtetarit të distancuar nga partitë. Ai e ka ndjekur sherrin politik me qëndrime dukshëm më të ftohta se paraardhësi i tij Nishani, i cili bëhej pjesë me dëshirë e konflikteve mes PS e PD. Meta ka kthyer mbrapsht vetëm një ligj deri tani në Parlament, duke mbajtur një raport të ftohtë, por institucional me shumicën në qeverisje. Është e vërtetë që ai nuk e ka dekretuar ende kreun e SHISH, por fakti që ky i fundit vijon punën edhe pa dekretin presidencial në xhep, përbën një kompromis që nuk shqetëson askënd.

Zbritja në fushë e kreut të shtetit kundër një raporti të një organizate ndërkombëtare të pavarur, e cila prej vitesh u ve “nota” politikanëve shqiptarë, përbën një hap të gabuar, që më shumë i bën reklamë raportit të Freedom House, sesa e fsheh atë.

Aq më tepër, kur vetë raporti nuk le pa goditur as qeverinë, duke i kujtuar asaj rastin Tahiri, autoritarizmin e Ramës dhe mënyrën e zgjedhjes së kryeprokurores Marku. Në raport ka shigjeta për të gjithë, nga i pari tek i fundit. Mjafton të thuhet që vijon të na quajë “një regjim hibrid”, ku “çdo hap përpara, u zhvlerësua nga një hap pas”.!

Mediat kanë aluduar orët e fundit se Meta ka një “nerv” të zbuluar ndaj çdo shkrese me kokë që vjen nga matanë Atlantikut, duke sjellë në vëmendjen e publikut një letër të pretenduar të Adriatik Llallës për Kongresin Amerikan, ku ky i fundit citohet të ketë thënë se ambasadori Donald Lu i ka kërkuar dikur “arrestimin e Ilir Metës”.

A është kjo rrethanë shkaku madhor i ndjeshmërisë së Presidentit ndaj lidhjes që i bën Freedom House zgjedhjes së tij si kryetar shteti, me dëmtimin e luftës ndaj korrupsionit në Shqipëri? Ndoshta po, ose me gjasë shkaku mund të mos jetë një episod i vetëm që e lidh Ilir Metën me amerikanët, por më shumë fytyra e ngrysur e tyre prej vitesh, teksa flitej për kryetarin e LSI dhe skandalet e tij të përfolura.

Nuk përbën lajm në ambjetin politik shqiptar, se marrëdhëniet e Metës me SHBA kanë qenë tradicionalisht të bazuara mbi dyshime dhe mosbesim. Vizitat e shpeshta të ish-kreut të Kuvendit në SHBA, përfshirë intervistat e sikletshme në Zërin e  Amerikës, vetëm sa e bënin më të fortë përshtypjen se këto marrëdhënie ishin të sforcuara dhe të paragjykuara nga pala amerikane.

Për fatet e Ilir Metës, Edi Ramës apo Lulzim Bashës, me shumë gjasë nuk ka asnjë rëndësi se çfarë shkruan një raport i caktuar, në një moment të caktuar. Kudo ku të jetë shkruar ai. Rëndësi ajo që bëjnë (ose që nuk bëjnë!) këtu, në Shqipëri, e që është produkti i karrierave të tyre politike. Të sulmosh organizmat që prodhojnë raporte, është më së paku një harxhim kohe. Dhe më së shumti, një reklamë indirekte, të cilën plaku i mençur Andreoti, me siguri që do ta kishte kursyer.j.j