Afera e CEZ/ Sekseri që mori paratë me çantë, 100 telefonata me Berishën – Lexo.al

Afera e CEZ/ Sekseri që mori paratë me çantë, 100 telefonata me Berishën

Nue Kalaj, njeriu që akuzohet se ka luajtur rolin e sekserit për finalizimin e marrëveshjes mes kompanisë çeke të energjisë, CEZ dhe qeverisë “Berisha”, për privatizimin e OSSH, ka kryer mbi 100 telefonata me ish-kryeministrin, Sali Berisha. Pra, personi që ka marrë me çantë 7 milionë euro nga një bankë e një niveli të dytë ka pasur një komunikim intensiv me Sali Berishën.

Kështu pretendon ish-juristi i OSHEE për çështjen e arbitrazhit, Romeo Karaj, dëshmia e të cilit u ka dhënë një rrjedhë të paparashikueshme hetimeve për skandalin e privatizimit të OSSH. Dëshmia është administruar nga komisioni hetimor, i cili ka kërkuar edhe tablatet telefonike të Berishës dhe personit që ka ndërmjetësuar marrëveshjen.

“Në dokument del se Nuel Kalaj ka hyrë në këtë valle pasi dështoi një person tjetër me origjinë kosovare, Hamza Merxhani, i cili jeton në Çeki, sipas të dhënave që kemi ne dhe kërkimeve tona, dhe ka dështuar në vitin 2005 për të ndërhyrë në lidhje me privatizimin e OSSH-së, apo KESH-it që ishte në atë kohë, në favor të CEZ-it.

Me ndërrimin e qeverisë, ka futur në lojë apo ka ftuar Nuel Kalajn, i cili paska lidhur, sipas kësaj letre, një kontratë tremujore për të lobuar pranë qeverisë shqiptare me një sous-estimer të përcaktuar atje, ka ardhur ne vjeshtën e vitit 2006 në Shqipëri, thuhet, ka pasur lidhje të forta me Kryeministrin, ka takuar ministrin e linjës, Genc Ruli, ka edhe fotografi të tij me Genc Rulin në këtë material që unë kam.

Thuhet se ka telefonuar mbi 100 herë brenda një muaji kryeministrin Berisha… Kështu e thotë letra dhe kështu e thonë edhe e-mailet e tjera që unë kam gjetur, të cilat do t’jua ofroj juve…”, ka deklaruar Romeo Karaj.

Lidhja me Shkëlzenin
Ish-juristi i OSHEE për çështjen e arbitrazhit, Romeo Karaj, ka pohuar para komisionit hetimor se Nuel Kalaj ka pasur lidhje me Shkëlzen Berishën, por ka shtuar se nuk ka materiale të plota për ta provuar lidhjen. “Thuhet që ka pasur lidhje me të birin e Kryeministrit, por nuk kam materiale të plota për këtë”, ka deklaruar Romeo Karaj.

Nue Kalaj u dekonspirua nga vetë Berisha
Emri i Nue ose Nuel Kalajt doli në skenën politike rreth 2 vjet më parë. Ka qenë vetë ish-kryeministri Berisha ai që ka përmendur lidhjen e presupozuar të Kalajt me të birin Shkëlzenin, gjatë një debati me ministrin Damian Gjiknuri, në seancën e 3 dhjetorit 2014.

Berisha flet për një dokument të Kalajt dhe Merxhanit, i përfolur si sekseri i parë i ÇEZ-it me palën shqiptare, ku ndodhet firma e të birit Shkëlzenit. Askush në seancë nuk kishte përmendur emrin e Kalajt para deklaratës së Berishës, i cili pasi nxori këtë fakt, nxitoi dhe ta quante shpifje dhe shantazh.

“Ke çuar mesazh tekstual se ekziston firma e Shkëlzen Berishës mbi një letër të Nua apo Noel Kalaj dhe të një tjetri që quhet Merxhani dhe unë të ktheva përgjigje që ta dërgoje menjëherë në prokurori, përndryshe do të paditesh ti në prokurori për dy gjëra: për 100% falsifikim dokumentesh, se ai është falsifikim dhe së dyti, për shantazh dhe përpjekje të tjera. Çoje në prokurori dhe nuk të them asgjë! Kaq!

Po nuk e çove në prokurori, ti do të jesh i paditur dhe absolutisht je i pashpresë dhe do të humbasësh se ai është një falsifikim i mirëfilltë. Për sa i përket marrëveshjes që do të shpëtosh, ja ku e ke përgjigjen më qesharake”, tha Berisha.

Përgjigja e Gjiknurit
Gjatë asaj seance, ministri Gjiknuri i është përgjigjur Berishës. “Gojët thonë, mbase janë të liga, por kanë dalë të dhëna që djali yt, që nuk është ndonjë rastësi, ka qenë i lidhur me këta emrat që u përmendën këtu.

Ka pasur lidhje apo jo, kjo i mbetet hetimit të prokurorisë, por prokuroria t’u shkojë telefonatave deri në fund, të marrë tabulatet e këtyre personave dhe të djalit tënd dhe të shikojmë, ka apo nuk ka lidhje.

Unë nuk dua të them që djali yt ka qenë i përfshirë në këtë, se nuk mund ta jap me garanci të plotë, por që djali yt është bërë edhe personazh filmash ndërkombëtare, sypeshkaqeni, siç i thonë, dhe shumë shpejt Hollywood-i do të prodhojë një film, tani kjo bëhet botërisht e njohur”, ka pohuar Gjiknuri